DURRËS – Gjykata e Durrësit ka lënë sot në burg 3 nga 4 të ndaluarit për korrupsion lidhur shpërndarjen e banesave sociale të ngritura në pushteti vendor. Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të hetimit 3 mujor të organit të akuzës, gjykata e qytetit bregdetar ka vendosur për të lënë në burg shoferin e bashkisë së Durrësit dhe dy nga sekserët.

Për Engjëll Taullajn, 52 vjeç, shofer pranë Bashkisë Durrës, Onjel Take, 36-vjeç i punësuar në sektorin privat, si dhe Pelivan Merkaj 67 vjeç, i punësuar  në sektorin privat, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me Burg”. Ndërsa 45 vjeçari Dhimitër Manxhari, përfaqësues i një firme ndërtimi është lënë i lirë kundrejt “garancisë pasurore”.

Katër shtetasit e mësipërm u ndaluan mbrëmjen e së premtes nga policia, pasi mbi ta rëndonte akuza “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Burime pranë policisë dhe prokurorisë së Durrësit kanë zbardhur skemën e ndjekur nga këta shtetas për të përfituar në mënyrë të jashtëligjshme banesa sociale dhe kredi të butë. Duke përfituar nga puna e tij si punonjës i bashkisë së Durrësit, shoferi Engjëll Taullai së bashku me 3 sekserët paraqisnin pranë zyrës së shërbimeve të bashkisë dokumentacion fiktiv në emër të tyre apo të personave të tjerë. Këta shtetas i kërkonin qytetarëve që donin të strehoheshin në apartamentet sociale të ngritura nga bashkia e Durrësit shuma të konsiderueshme në këmbim të premtimit të përfshirjes së emrit në listat përfundimtare që paraqiten për miratim nga pushteti vendor pranë Këshillit Bashkiak.

Kërkesa për strehim në qytetin bregdetar është mjaft e lartë, ndërkohë që numri i apartamenteve sociale është i kufizuar dhe duke përfituar pikërisht nga kjo 4 shtetasit e ndaluar kanë tentuar të përfitojnë në mënyrë abuzive.

Ndërkohë në gjendje të lirë po ndiqet specialistja e zyrës së shërbimeve pranë pushtetit vendor, 49 vjeçarja Diana Mandia. Ndaj kësaj shtetaseje gjykata e Durrësit ka vendosur “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore dhe pezullim të ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”. Mandia po hetohet si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".