Durrës, 25 korrik 2014 – 8 muaj burg është masa që gjykata ka dhënë për Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve, Ndres Prenga i akuzuar për falsifikim dokumentesh.
Ndërkohë për dy bashkëpunëtorët Tom Marenën dhe Petrit Ndojin ka dhënë masën 6 dhe 5 muaj burg. Tre personat e mësipërm pajisnin me dokumente false për gjakmarrje qytetarë shqiptarë me qëllim që të përfitonin azil politik jashtë Shqipërisë. Dokumentet false jepeshin në këmbim të një shume të caktuar parash.
"Gjykata e Durrësit ka shpallur fajtor Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve dhe dy bashkëpunëtorë të tij, të akuzuar për “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit, këta persona kanë pajisur me dokumenta false si të përfshirë në gjakmarrje qytetarë shqiptarë rezidentë jashtë vendit, me qëllim përfitimin e azilit në shtete të ndryshme europiane. Dokumentet e falsifikuara, këta shtetas i përpilonin në këmbim të parave në vlera të ndryshme. Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Durrësit ka shpallur të Premten (dt. 25.07.2014) vendimin, ku i dënon personat e përfshirë si më poshtë: Ndres Prenga (Krytar i Asamblesë së Misionarëve…) 8 muaj burg; Tom Marena, bashkëpunëtor 6 muaj burg; Petrit Ndoj, bashkëpunëtor, 5 muaj burg"– behet me dije nga gjykata.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





