Hekuran Troplini dhe Emiliano Pasha janë lënë në burg nga gjykata e Durrësit. Dy të rinjtë akuzohen nga prokuroria për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prodhim armësh e municionesh”.

Dy të rinjtë u arrestuan në qytetin bregdetar, dy ditë më parë, pasi u zbuluan se mbanin një sasi armatimi të fshehtë dhe ua shisnin grupeve kriminale.

Gjatë operacionit policor i koduar “Hills” u arrestuan duke shitur armë zjarri në fshatin Shkallnur, 20-vjeçari Hekuran Troplini dhe 19-vjeçari Emiljano Pasho, të dy banues nga ky fshat.

Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehëra, qindra fishekë luftarakë, 1  motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen,  63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Ndërkohë sot në Sukth të Durrësit u finalizua operacioni policor i koduar “Hills 2”, gjatë të cilit u zbulua një tjetër bazë që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale, me armë zjarri dhe me municion luftarak.

U sekuestruan nga policia kallashnikovë, granatë, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm. Policia vuri në pranga pronarin e banesës, shtetasin Adem Salillari.