Durrës, 1 qershor 2014 – Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për 61 vjeçarin Asllan Patrioti, të arrestuar në datë 29 maj për veprën penale të “Mashtrimit”.

Patrioti, kryetar i shoqatës së ish të përndjekurve politik, Durrës dhe ish koordinatori i grevës së urisë së dy viteve më parë të ish të burgosurve politikë akuzohet së bashku me shtetasin Arben Shezi, që është shpallur në kërkim nga policia, se kishin arritur të mashtronin shtetas të ndryshëm të cilët i pajisnin me dokumenta të ndryshme për të aplikuar për të shkuar në Kanada, SHBA, Britaninë e Madhe dhe Belgjikë me dokumenta me mbishkrimet “CBI”, “ANTITEROR”, “ANTIMAFIA” etj. Pas mbërritjes së këtyre shtetasve në  destinacion ata do të pajiseshin me dokumenta “vërtetim anëtarësie pranë Shoqatës për Integrimin e të Përndjekurve Politikë Durrës, përkundrejt shumave që variojnë nga 3000 deri në 8000 mijë euro.

Në seancën e sotme gjyqësore, prokurori i çështjes, Sokol Nishani, i kërkoi gjykatës lënien në burg të 61 vjeçarit Patrioti, i akuzuar edhe më parë për mashtrim.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i të pandehurit i kërkoi gjyqtares Shpëtime Pitaku që masa e sigurisë ndaj klientit të tij të ishte më e lehtë, detyrim paraqitje, pasi bashkëshortja e tij është e sëmurë dhe gjendet e shtruar në spital.

Pasi dëgjoi të dyja palët, gjyqtarja Pitaku vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për Asllan Patriotin deri në përfundim të hetimeve.

Gjatë operacionit policor “Mashtruesit”, që çoi pas hekurave Patriotin, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi të konsiderueshme dokumentesh të falsifikuara, si distiktivë me mbishkrimet e CBI-së, dokumenta me mbishkrimet ANTITERROR, 80 dokumenta identifikimi të personave të ndryshëm personash te tjera si dhe 40 vertetime nga Shoqata për Integrimin e të Përndjekurve Durrës.

Gjithashtu nga oficerët për e sektorit të Krimit Ekonomik e Financiar po punohet për verifikimin dhe dokumentimin ligjor të disa informacioneve dhe të dhënave të tjera që mund të rëndojnë mbi këta dy shtetas, pasi dyshohet se kanë mashtruar rreth 11 persona duke ju përvetësuar shuma parash që variojnë nga 2000 deri në 5000 euro, duke ju premtuar shtetasve se emrat e tyre janë pjesë e listës së personave që do të pajisen me apartamente banimi nga Enti i Banesave pranë Bashkisë së Durrësit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/