DURRES, 9 maj 2013– Gjykata e Durrësit ka lënë në burg, drejtorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Dega Durrës Skënder Koni 65 vjeç, njëkohësisht dhe kryetari i partisë Demokristiane në qytetin bregdetar.
Gjatë seancës për verifikimin e kushteve të masës së arrestit, e cila u mbajt në sallën penale, trupi gjykues i kryesuar nga Astrit Faqolli, ka vendosur ta cilësojë si të ligjshëm arrestimin e Konit, duke e i dhënë burg pa afat.
Organi i akuzës i përfaqësuar nga Afrim Shehu, pohon se ka prova të mjaftueshme, siç janë përgjimet telefonike apo edhe në ambiente publike, që akuzojnë të pandehurin Skënder Koni, për ezaurimin e veprave penale atë të "Korrupsionit Pasiv" si dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike” në bashkëpunim, duke kërkuar lënien në fuqi të masës së sigurisë "Arrest me Burg".
Kërkesa e prokuroritështë kundërshtuar nga avokati mbrojtës Qazim Gjoni, i cili kërkoi një masë sigurie më të lehtë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për faktin që nuk përbën rrezik për komunitetin.
Sipas avokatit mbrojtës, klienti i tij nuk është njohur më herët me akuzën dhe se është paraqitur vetë në dyert e policisë, duke kërkuar masën e sigurisë "Detyrim Paraqitje".
Për të vërtetuar gjendjen e tij shëndetësore, Koni i ka paraqitur trupit gjykues një epikrizë që vërteton sëmundjen e tij.
I pandehuri Koni i pranishëm në sallë nuk ka komentuar mbi akuzat, duke pohuar se është dakort me atë çka avokati i tij kërkon.
Ndërkohë gjykata vendosi në një seancë të ndarë, masën e sigurisë "Arrest shtëpie" për Elsa Zoton 51 vjeçe".
65 vjeçari Skënder Koni u arrestua tre ditë më parë nga policia e Durrësit së bashku me shtetasen Elsa Zoto, 51 vjeçe, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim, pas kërkesës së prokurorisë, ku dyshohet se shtetasit në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kërkuar dhe marrë përfitime të paligjshme për të regjistruar dhe legalizuar prona të disa banorëve të vendosur në një truall me sipërfaqe 3253 m 2.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/





