Durrës, 14 korrik 2014 – Gjykata e Durresit ka lënë në burg kryetarin e Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi dhe 4 zyrtarët e tjerë të kësaj komune të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Gjatë seancës, avokati mbrojtës i Gashit ka kërkuar masë më të lehtë, por gjykata pranoi propozimin e prokurorisë.

Kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi dhe katër zyrtarë të tjerë të komunës u arrestuan të shtunën, pasi akuzohen për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve të ndërtimit në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës. 

“Nga hetimi ka rezultuar se, në të paktën 16 raste, këta zyrtarë kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin, në këtë zonë, në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë (KKRRTSH)", thuhet në dosjen e prokurorisë. 

Hetimi ndaj zyrtarëve sipas prokurorisë, nis që në shkurt të 2014, pas një informacioni të drejtorisë së qarkut, e cila informonte se në një nga ndërtimet në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ishte ngritur një kat pa leje. Gjatë hetimit, prokuroria arriti të zbulojë se jo vetëm kati, por i gjithë pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje të kundërligjshme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/