Durrës, 14 korrik 2014 – Duket se efektivët e policisë nuk janë lënë të qetë të ushtrojnë detyrën e tyre këtë fundjavë.
Pas aksidentit të një dite më parë në aksin rrugor Gjiri i Lalzit – Manëz, ku një 23 vjeçar goditi me automjetin e tij dy motoçikletat e dy efektivëve rrugorë të Tiranës, duke lënë njëri prej tyre të plagosur, një tjetër rast raportohet nga policia.
Burime policore konfirmojnë se kanë arrestuar në flagrancë 21 vjeçarin nga Durrësi Lorenc Skura, pasi ky i fundit ka kundërshtuar dhe goditur një efektiv policie, ndërsa ky i fundit ishte në krye të detyrës.
Ngjarja është regjistruar në zonën e plazhit, në Durrës. Skura ka qenë pasagjer në automjetin tip Renault Klio me targa AA321HK, të drejtuar nga 21 vjeçari J.Xh. Mësohet se drejtuesi i automjetit, së bashku me dy shokët e tij që ndodheshin në automjet, Lorenc Skurën dhe K.K., 22 vjeç është ndaluar nga shërbimet e policisë pasi automjeti po lëvizte në rrugë me një shpejtësi tej normave të lejuara.
Pasi i kanë ndaluar tre djemtë e rinj nga Durrësi, policët i kanë shoqëruar për në komisariat. Pikërisht në këtë kohë Lorenci, duke pretenduar se ndalimi i tyre nuk ishte i rregullt ka kundershtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësin e policisë A.K. Kolegët e policit kanë ndërhyrë menjëherë për të shuar sherrin, ndërkohë që i kanë vënë prangat të riut.
Skura akuzohet për “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim i Punonjësit të Policisë të Rendit Publik” dhe “Fyerje për shkak të detyrës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





