DURRËS, 30 nëntor 2014 –  Nuk mund të korruptojë policin e Rrugores për t’i hequr gjobën, e fyen dhe i hyn me grushte uniformës blu, duke e bërë për spital, por prangoset menjëherë.

Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se të dielën, më 30 nëntor 2014, ora 10.40, ka ndodhur një incident, në sheshin para “Bar Italia”-s.  Inspektori i policisë rrugore, me inicialet G. G. ka parë se një “Ford Focus” me ngjyrë të zezë, ishte parkuar në vendin e gabuar. Uniforma blu i është afruar veturës për të plotësuar procesverbalin përkatës. Sapo ka parë policin me bllok në dorë, pronari i mjetit, 34-vjeçari D. Grabovari, me banim në Durrës, u përpoq ta komprometonte.

Pasi ndjeu se nuk po i ecte, meqë inspektori “nuk i ka vënë veshin aspak”, 34-vjeçari ka përdorur dhunën, madje e goditi në kokë policin. Autori i incidentit ka ikur me shpejtësi nga vendngjarja, por kolegët e rrugorit u ngritën me shpejtësi në alarm dhe e ndaluan në lagjen nr. 17, pranë kompleksit tregtar “Galaktik”. U shoqërua bashkë me mjetin në komisariat, ku u mor në pyetje nga hetuesit.

Blutë njoftojnë se kolegu i tyre i lënduar u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit. Pasi ka marrë mjekimet e duhura, G. G. është jashtë rrezikut për jetën.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/