Durrës, 25 korrik 2014 – Një 34 vjeçar nga Durrësi, E.M. është dhunuar dhe grabitur nga persona të paidentifikuar në zonën e Shkozetit.
34 vjeçari është rrahur barbarisht nga 3 persona të panjohur ,të cilët nuk kanë kursyer ndaj tij shkelmat dhe grushtat duke i shkaktuar lëndime të shumta në trup, në orët e vona të së mërkurës.
Por dhunuesit nuk janë mjaftuar me kaq, por e kanë grabitur të riun duke i marrë të gjitha sendet me vlerë dhe paratë që kishte me vete.
Në dëshminë e tij në polici, 34 vjeçari ka rrëfyer se i janë grabitur 15000 lekë të rinj, një unazë, një byrzylyk floriri, dy telefona celularë dhe dokumenta personale.
Ndërkohë po në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, një 21 vjeçareje nga Tirana i është marrë me forcë nga dora telefoni celular. Grabitja ka ndodhur në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe sipas policisë, hajduti besohet t’i përkasë kontigjentit të vjedhësve që ‘zbarkojnë’ në zonën turistike me qëllim grabitjen e pushuesve.
Në përpjekje për të frenuar rastet e vjedhjeve në zonën turistike, policia e Durrësit ka bërë të mundur zbardhjen e një vjedhjeve dhe kapjen e autorëve të saj.
Policia ka prangosur dy të rinjtë nga Durrësi, Blerim Kastrati, 19 vjeç dhe Gazment Myzyraj, 16 vjeç, të cilët dyshohet se janë autorët e vjedhjes me thyerje në bashkëpunim të banesës së një 77 vjeçari në zonën e Plazhit, ngjarje kjo e ndodhur në 26 qershor.
Dy adoleshentët kishin vjedhur në banesë një televizor dhe disa sende të tjera. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua televizori i vjedhur, i cili ishte shitur më pas prej tyre.
Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim 24 vjeçarin Ervis Demiri, 24 vjeç, banues ne Burrel, i cili ka tentuar të vjedhë me dhunë mbrëmjen e së enjtes, në zonën e plazhit, automjetin tip Benz, me targa DR 1406 F, në pronësi të shtetasit A.Gj., 19 vjeç.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





