Burime konfidenciale nga policia e Durrësit zbardhin për DurrësLajm të tjera detaje nga grabitja e ndodhur pasditen e sotme në bulevardin qendror të qytetit.
Mësohet se grabitësit realizuan vjedhjen duke kërcënuar shitësen me elektroshok. Ata kanë qenë të pamaskuar dhe kanë hyrë si klientë në dyqan, por menjëherë janë hedhur në sulm duke i vendosur shitëses elektroshokun në fyt dhe pasi e kanë shtrirë përtokë kanë nisur të boshatisin vitrinat e dyqanit. Ky dyqan ka rënë pre e grabitjes edhe 5 vite më parë.
Kamerat e sigurisë së biznesit kanë qenë jo funksionale, por gjithsesi policia ka mundur të nxjerrë foto të grabitësve nga kamerat e biznesve aty pranë. Ndërkohë, dëshmia e shitëses, e cila ka mbetur mjaft e tronditur nga ngjarja, mund të zbardhë të tjera detaje me rëndësi për hetuesit.
Mësohet se dy grabitësit janë dy të rinj, dyshohet të moshës 20-24 vjeç. Në dyqan janë gjetur shumë gjurmë gishtash, që dyshohet se janë të grabitësve. Policia po do të bëjë verifikimin e tyre për të zbuluar nëse dy të rinjtë janë me precedentë penal, apo nëse janë përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme.
Ndërkohë, në të gjitha dyqanet e argjendarive, të shtrira përgjatë gjithë bulevardit kryesor të Durrësit, grabitja e ndodhur pasditen e sotme ka shkaktuar shumë shqetësim, pasi bizneset janë ndjerë të kërcënuar.





