SHIJAK, 10 maj 2014 – Një grabitje me armë zjarri është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në një bar-restorant në bashkinë e Manzës.
Ka qenë ora rreth 23.40 e mbrëmjes, kur efektivët e policisë së komisariatit të Shijakut janë njoftuar nga një pronar biznesi për grabitjen e kryer në pronën e tij.
Mësohet se Bledar Meçe, 24 vjeç, pronar i bar-restorantit në fjalë është kërcënuar nga dy grabitësit, të cilët i kanë kërkuar xhiron ditore. Nën kërcënimin e armës së zjarrit dhe pasi është goditur në kokë dhe fytyrë me qytë pistolete, Meçe është detyruar t’u japë atyre xhiron ditore që ndodhej në kasë. Pasi kanë marrë paratë, grabitësit janë larguar me shpejtësi nëpër errësirën e natës.
Pas njoftimit, efektivët e komisariatit të Shijakut kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të grabitësve. Këta të fundit ishin fshehur në disa parcela toke në afërsi të vendit ku ndodhi grabitja.
Pasi u rrethuan nga efektivët e rendit, të cilët u bënë thirrje të dorëzohen grabitësit mësohet se kanë shkëmbyer zjarr me policinë. Pas disa minutash, efektivët e rendit kanë realizuar prangosjen e dy të rinjve.
Burime të policisë së Durrësit pohojnë se në pranga kanë përfunduar shtetasit Izmir Allçi 21 vjeç dhe Romario Shehi 17 vjeç, të dy banues në Manzë, të cilët rezultojnë të jenë dy grabitësit e resortit. Ndërkohë mësohet se i lënduari Bledar Meçe u transportua për në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





