Organizimi i festave familjare në lokale dhe restarante është një art më vete, pasi organizatorët shpeshherë i transformojnë ambientet për t’iu përshtatur më së miri ideve dhe gustove të personave që do të festojnë ditëlindjet, celebrojnë fejesat a martesat, zhvillojnë një drekë apo darkë me kolektivin a shoqërinë etj.

Për të arreduar një ambient sa më pranë pritshmërive të personave që festojnë, organizatorët duhet të jenë sa më të informuar me gjetjet më të reja në këtë fushë dhe me detajet e veçanta që duhet të karakterizojë çdo festë familjare, pasi secila duhet të jetë ndryshe nga tjetra.

Pikërisht për këtë qëllim, u mblodhën në ambientet e restorantit “2 Kitarrat” në Durrës, disa zonja nga bota e biznesit, për të marrë informacion rreth organizimit të eventeve dhe për të shkëmbyer eksperiencën e tyre në këtë fushë me dy biznesmenë nga qyteti i Patras në Greqi.

Nina Beqiraj, organizatorja dhe ideatorja e këtij takimi, tregon për “DurrësLajm” se ky aktivitet i kryer nga Ana Maria dhe Jorgo zbukuron jetën e shumë personave, dhe pse jo, me punimet e tyre, ata të jenë prezentë edhe në ambientet e restorantit “2 Kitarrat” në Durrës.