Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8 marsit Shoqata e Grave me Probleme Sociale, Koalicioni “Gratë Paqe Siguri”, Qëndra Kombëtare për Shërbime Komunitare, Qendra Konsumatorit Shqipëtar dhe Shoqata Gruaja në Fokus kanë organizuar paraditen e sotme përpara bashkisë Durrës një protestë me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi të drejtat e grave.

Viti 2019 ka hyrë i përgjakur, ku vetëm në 45 ditët e para të tij janë vrarë 7 gra. Këto ngjarje përbëjnë një “alarm” të fortë për të gjithë përsa i përket nivelit të lartë të dhunës dhe abuzimit më të cilën përballen vajzat dhe gratë shqipëtare. Avokatja e shoqatës së gruas, Erisilda Shpata e vuri theksin te zbatimi i ligjit, për të parandaluar akte të tilla.

Qyteti i Durrësit renditet i pari në rang vendi për dhunën në familje. Me pankarta në duar, gratë dhe vajzat durrsake kanë marshuar duke kërkuar të drejtat e mohuara. Për drejtuesen e qendrës së konsumatorit shqiptar, Ersida Teliti, gruaja është themeli i shoqërisë shqiptare.

Protesta e sotme është njëherësh një vajtim për heshtjen institucionale kundrejt vrasjeve të njëpasnjëshme kanë deklaruar organizatoret e këtij tubimi.

K.H.