·        Arbitrazhi ndërkombëtar i dha të drejtë kompanisë “Mamidoil”, qeveria Rama paguan borxhet e Berishës për transferimin depozitave në Porto Romano: edhe 122 500 euro për avokatët dhe 100 000 dollarë, për shpenzimet administrative

DURRËS, 9 korrik 2014 –  Qeveritë e pas vitit 2011 po vuajnë pasojat e një vendimi të vitit 2000 të qeverisë së majtë, ku favorizohej një kompani greke “Mamidoil” me depozitat e karburantit në portin e Durrësit për 25 vjet tek ish- AGIP-i / Rezervat e Shtetit.

Dhe kur Ekzekutivi blu i Berishës i hoqi dhe i çoi në Porto Romano, pasardhësit e Odisesë dinak iu drejtuan arbitrazhit ndërkombëtar.

Më 20 mars 2013 Ministrisë së Drejtësisë (titullar Eduard Halimi, aktualisht deputet i PD-së i qarkut të Durrësit, lindur në Korçë dhe me banim në Tiranë) i shtohej fondi prej 35 000 eurosh, për pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i katërt), për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr. ARB/11/24 “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe Anonyme S.A., kundër Republikës së Shqipërisë”, që u zhvillua në ICSID (Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve në Investimet).

Më 2 dhjetor 2012 iu shtuan 70 000 euro.

Më herët, më 16 maj 2012 iu shtuan 100 000 dollarë amerikanë.

Po atë ditë vendimi i dytë: edhe 70 000 euro.

“Mamidoil” ka dorëzuar padinë në ICSID më 12 shtator 2011, por seanca e parë është zhvilluar vetëm në 6 prill 2012 në Paris.

Borxhet e Berishës janë mbartur për Ramën.

Në mbledhjen e 9 korrikut 2014, Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Drejtësisë (titullar Nasip Naço i LSI, deputet i qarkut të Beratit), në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 122 500 euro, për të përballuar pagesat e tarifave avokatore të përfaqësimit (kësti i gjashtë dhe i fundit); me një vendim të dytë Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi 100 000 dollarë, për të përballuar pjesën e mbetur të shpenzimeve administrative të arbitrazhit ndërkombëtar për çështjen nr. ARB/11/24, “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Societe Anonyme S.A. kundër Republikës së Shqipërisë”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/