Durrës, 21 maj 2014 – Konflikti për motive të dobëta mes dy durrsakëve ka përfunduar me të lënduar nga të dyja palët dhe me automjetet respektive të shkatërruara.
Mësohet nga burime policore se dy shtetas, B.H., 50 vjeç dhe Dh.P., 59 vjeç, të dy banues në Durrës, janë konfliktuar një ditë më parë në lagjen nr. 4 të qytetit.
Konflikti ka nisur rreth orës 12.00 dhe të dy palët duket se kanë qenë të vendosur për t’i shkuar deri në fund mërive të vjetra.
Pasi janë konfliktuar më parë me fjalë dhe më pas kanë kaluar në goditje të njeri – tjetrit, ata kanë menduar se për t’u shfryrë tamam nevojitej të thyenin xhamat e makinave respektive. Dhe kështu kanë bërë…
Kanë goditur me grushta njëri-tjetrin dhe pastaj, për t’i vënë vulën grindjes kanë nisur me automjetet përkatëse.
Në fund të rrahjes, ata kanë pasur nevojë për mjekim për lëndimet e marra, ndërsa makinat, të dyja tip Benz, me targa AA235 FU e DR3200D, janë dërguar në servis për të rregulluar dëmet e shkaktuara nga pronarët e tyre “kokë nxehtë”.
Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për të dy protagonistët e këtij sherri, shtetasit B.H. dhe Dh. P., të cilët akuzohen për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” e “Shkatërrim prone”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





