Durrës, 22 maj 2014 – Pasditen e së mërkurës, qindra qytetarë durrsakë qenë dëshmitarë të një plagosjeje me thikë në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit, në shëtitoren “Taulantia”. Fakti që në ato orë, shëtitorja është një vend mjaft i preferuar nga një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve për të bërë një shëtitje apo për të pirë një kafe, bëri që ngjarja të kishte një efekt të madh mediatik.

Dy të rinj, Dritan Biçaku, 28 vjeç, dhe Gj.M., 30 vjeç, u konfliktuan mes tyre për motive të dobëta, në gjendje të pirë, dhe përfundimi ishte një i plagosur me thikë në qafë. Menjëherë pas ngjarjes, policia kapi dhe shoqëroi në komisariat Dritan Biçakun, i akuzuar si autor i plagosjes, ndërsa 30 vjeçari Gj. M. u shoqërua me urgjencë në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë një ditë përpara kësaj ngjarjeje, një tjetër plagosje mes dy të rinjve është regjistruar në qytetin e Durrësit.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës, rreth orës 07.00, në lagjen nr.16. të përfshirë në konflikt kanë mbetur dy të rinj, E.T. 19 vjeç dhe E.Z., 20 vjeç.

Dy të rinjtë edhe në këtë rast janë konfliktuar për motive të dobëta, dhe 19 vjeçari E.T. nuk ka nguruar të godasë me thikë në këmbë 20 vjeçarin. Fatmirësisht i plagosuri nuk marrë lëndime të rënda, por vetëm plagë të lehta.

Policia bën të ditur se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 19 vjeçarin E.T., i akuzuar për  veprën penale ”Plagosje e lehtë me dashje”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/