Durrës, 23 mars 2014 – Konflikti i pronësisë mes motrës dhe vëllait ka degjeneruar deri në fyerje dhe kanosje. Pala e dëmtuar, vëllai në këtë rast, ka denoncuar motrën e tij pranë organeve të rendit.

Mësohet se konflikti mes tyre ka nisur kohë më parë, por duket se ditët e fundit është përkeqësuar ndjeshëm. 53 vjeçarja T.N., banuese në Durrës ka shkuar një ditë më parë në shtëpinë e vëllait të saj, shtetasit A.D., 43 vjeç, banor i lagjes nr.6 të qytetit bregdetar për t’u sqaruar lidhur me konfliktin që kishte lindur mes tyre për shkak të një prone të përbashkët.

Edhe pse me lidhje të ngushtë gjaku, motër e vëlla nuk kanë arritur të gjejnë mirëkuptim mes tyre, madje motra në gjaknxehtësi e sipër ka nisur ta fyejë e kanosë vëllain e saj. Në këto kushte, 43 vjeçari i është drejtuar policisë së Durrësit për të bërë denoncimin për motrën e tij, për ushtrim dhune fizike e psikologjike. Mësohet se efektivët e rendit kanë plotësuar Kërkesë-Padinë për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme për 43 vjeçarin A.D.

Ndërkohë për të mos lejuar që konflikti mes të dyve të acarohet edhe më tej dhe për të parandaluar në të ardhmen ndonjë ngjarje edhe më të rëndë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 53 vjeçaren T.N., ndaj të cilës janë ngritur akuzat për veprat penale “Kanosje” e “Fyerje”.

Vetëm një ditë më parë, në policinë e Durrësit është denoncuar një tjetër rast i dhunës në familje, që sërish përfshin marrëdhëniet motër – vëlla. Në këtë rast një 37 vjeçare nga Durrësi ka kërkuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, pasi ndihet e dhunuar nga vëllai i saj, shtetasi I.D., 41 vjeç, banues në Durrës. 37 vjeçarja ka deklaruar në polici se vëllai i saj kishte ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj kohët e fundit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/