Infrastruktura rrugore në qytetin bregdetar të Durrësit është kthyer në një nga problemet më të mprehta që ndeshin banorët sapo lënë qendrën e qytetit.
Më e rënduar situata paraqitet në lagjen e re në qendër të qytetit të Durrësit, ku banorët thonë se prej me shume se 20 vitesh rruga vazhdon të jetë e dëmtuar, me gropa me baltë në dimër dhe me pluhur gjatë stinës së verës. E tillë është rruga “Prokop Meksi”, e cila nuk është rikonstruktuar në vite, veç kur i hedhin ndonje lopatë asfalt sa për makiazh në kohë fushatash elektorale.
Qytetarët shtojnë se nga premtimet e pambajtura kanë humbur besimin se rruga do të mund të rikonstruktohet për më tepër që aty kalojnë edhe makinat e rënda të firmave që operojnë në këtë lagje duke prishur e dëmtuar rrugën.
Gjendja sa vjen e rëndohet. Në krye të rrugës gjendet shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi”. Fëmijët duhet të përshkojnë këtë rrugë sa herë hyjnë e dalin nga dera e shkollës.
Lagja e re edhe pse ndodhet thuajse në qendër të Durrësit në lagjen nr.7 jep përshtypjen e një zone të thellë malore, e lënë në harresë të plotë.
Në rrugë vihet re me sy të lirë prezenca e gropave, kanalet e hapura nga firma të ndryshme dhe të pariparuara, duke e bërë këtë segment mjaft të vështirë për t’u përshkuar.
K.H.





