Durrës, 3 qershor 2014 – Dhuna sistematike në familje për pak sa nuk i ka marrë jetën një gruaje të re në Durrës, e cila, në tentativë për t’i shpëtuar dajakut të burrit të saj, ka rënë nga disa metra lartësi.
27 vjeçarja Aida Gjoka, nënë e një fëmije7 vjeçar, ka rrezikuar të humbë jetën, ndërsa zbriste nga tubi shkarkues i pallatit, ku banonte.
27 vjeçarja ka marrë plagë të shumta në trup, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që bashkëshorti i saj është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime për ngjarjen.
Ngjarja
Ishte ora 01.20 e mëngjesit të sotëm, kur 27 vjeçarja Aida Gjoka, në tentativë për t’i shpëtuar dhunës bashkëshortore ka tentuar të zbresë nga pallati nëpërmjet tubit shkarkues. Sipas policisë, gruaja ka nisur të zbresë në orët e para të mëngjesit nga dritarja e katit të katërt, e një pallati në lagjen nr.17, por nuk ka pasur fuqi për të rezistuar deri në fund dhe për këtë shkak ka rënë në tokë duke pësuar shembje të shumta.
Kanë qenë fqinjët ata që e kanë dërguar me urgjencë gruan e re në spital. Sipas mjekëve, pavërësisht dëmtimeve të shumta, gjendja e 27 vjeçares është e stabilizuar dhe nuk ka rrezik për jetën.
Dhuna bashkëshortore
Familjarë të 27 vjeçares rrëfejnë se ajo dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti, pasi ky i fundit ishte shumë xheloz. Madje për shkak të xhelozisë, ai e kishte mbyllur në shtëpi gruan e tij dhe nuk e linte të dilte. Marrëdhëniet e acaruara bashkëshortore shoqëroheshin shpeshherë me dhunë fizike ndaj gruas së re. Madje, sipas të afërmve të saj, ajo rrihej nga burri edhe në sy të djalit 7 vjeç. Në orët e vona të së hënës është përsëritur sërish e njëjta histori. Për të evituar rrahjen e rradhës, 27 vjeçarja ka rrezikuar së tepërmi, pasi tentativa e saj për t’u larguar në atë formë nga shtëpia mund t’i kushtonte edhe jetën.
E si të mos mjaftonte kjo ngjarje e rëndë, në 24 orët e fundit 4 gra të tjera kanë denoncuar në policinë e Durrësit dhunën e ushtruar ndaj tyre nga bashkëshortët.
Ndërkohë dy ditë më parë, një 17 vjeçare u rrah në mënyrë brutale nga bashkëshorti i saj, pasi kërkonte të divorcohej. Dhuna në familja është një fenomen mjaft i pranishëm në shumë familje në qarkun e Durrësit dhe këtë e dëshmon më së miri numri i lartë i denoncimeve që bëhen nga të dhunuarat çdo ditë në polici.
Pavarësisht forcimit të dënimeve në Kodit Penal për këtë vepër penale duket se zgjidhja e problemeve “alla shqiptarçe me anë të dajakut", do të vijojnë të jenë mjaft prezente në shoqërinë tonë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





