Zhvillohen sot zgjedhjet për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në Durrës, dhe kandidatët në garë janë Spartak Haçkovija, Helenida Sava dhe Artion Barjamaj. Ata do të përballen sot me anëtarësinë e Forumit Rinor të PD-së, në Durrës, të cilët, përmes parimit “një anëtar, një votë”, do të zgjedhin drejtuesin e tyre për mandatin e ardhshëm.

Sot, në ora 15:00, në Pallatin e Kulturës do të zhvillohet konventa e Forumit Rinor të PD-së, në Durrës, ku, fillimisht, të tre kandidatët do të japin mesazhet e tyre respektive, dhe, më pas, do të zhvillohet procesi i votimit.

Më 20 janar, Forumi Rinor i PD-së shpalli fushatën për riorganizimin dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të degëve. Në Durrës, në fillim të muajit shkurt u kryen zgjedhjet për strukturat e Forumit Rinor të PD-së, në Durrës, në secilin grupseksion, ndërkohë që ata të cilët aspironin shpallën edhe kandidaturën e tyre për kreun e degës së Forumit Rinor të PD. Pas verifikimit të kandidaturave të paraqitura, tre prej tyre u miratuan për të qenë pjesë e garës, e cila do të zhvillohet pikërisht sot.

Kuptohet, për shkak të anëtarësisë më të kufizuar në numër për arsye të moshës nga 16 deri në 35 vjeç dhe vetë sportivitetit që karakterizon të rinjtë, fushata që tre kandidatët kanë zhvilluar nuk ka marrë aspak atë formën karakteristike të një fushate zgjedhore brenda një force politike, por është kthyer më së shumti në takime shokësh e miqsh, ndërkohë që ka gjendur vend “shfryrje” edhe në rrjetet sociale. Kjo fushatë, që mbyllet sot në orën 15:00, nuk pati as atë egërsinë me të cilën karakterizohen shpesh të tilla zhvillime mes anëtarëve më të rritur të forcave politike. Këtë e kupton edhe sapo njihesh me mesazhet e kandidatëve në garë.

Haçkovija: Jam në PD, pavarësisht rezultatit të kësaj gare

Spartak Haçkovija, njëri prej tre kandidatëve në garë, thekson se angazhimi i tij në Partinë Demokratike mbetet në themel të pjesëmarrjes së tij në garë. “Unë jam në Partinë Demokratike dhe, pavarësisht kësaj gare, unë padyshim që do të jem në Partinë Demokratike, – thekson Haçkovija. – Rinia gjithnjë ka qenë dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike, ajo do të jetë pjesë e rëndësishme edhe e ringritjes së Partisë Demokratike.”

Haçkovija është bërë pjesë e kësaj gare dhe kërkon të drejtojë Forumin Rinor të PD pikërisht për të dhënë kontributin e tij nga eksperienca e fituar ndër vite. Pjesëtarët në këtë garë janë të gjithë të rinj dhe, në një mënyrë apo një tjetër, të gjithë kanë qenë prej vitesh të angazhuar me Partinë Demokratike dhe e njohin njëri-tjetrin. Artion Barjamaj synon që “të bashkuar, mund të ndërtojmë strukturën e Forumit Rinor të PD më aktiv, energjik dhe me ide të reja.”

Në fakt, ky është synimi i të gjithë anëtarëve të Forumit Rinor të PD dhe pikërisht për këtë ata do të zgjedhin drejtuesin e tyre të ri. “Ne duam më të mirën për vendin ku jetojmë, duam më të mirën për Durrësin dhe Forumi Rinor i PD do të formojë një pjesë të rëndësishme të alternativës për një Durrës më të mirë për të gjithë ne, pjesë e rëndësishme e alternativës për një qeverisje më të mirë të Durrësit dhe të gjithë vendit,” – thekson Haçkovija. Padyshim që përpjekja e tij për të fituar garën ka për qëllim që t’i japë një frymë të re Forumit Rinor të PD, ta bëjë atë edhe më të gjallë dhe me të vërtetë rinor dhe demokratik.

PD me “një anëtar, një votë”

Kjo është hera e parë që drejtuesit e strukturave vendore të Partisë Demokratike zgjidhen përmes parimit “një anëtar, një votë”. Një parim i tillë është sanksionuar në statutin e Partisë Demokratike dhe ka nisur të zbatohet, ndonëse pak ngadalë.

Sot, gjatë të ashtuquajturës ‘konventë’, anëtarët e Forumit Rinor të PD, në Durrës, do të dëgjojnë mesazhet e kandidatëve, do të dëgjojnë alternativat e tyre, dhe mund të bëhen dëshmitarë edhe të një debati mes tyre mbi tema të caktuara. Në fund, do të jenë ata që, me votën e tyre, do të zgjedhin kryetarin e ri të Forumit Rinor të PD-së.

N.H.