DURRËS, 15 dhjetor 2014 – Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë njofton se, të dielën, më 14 dhjetor 2014, kanë ndodhur 5 vjedhje në territorin e dy rretheve që mbulon ajo, por pohon se nuk janë identifikuar ende autorët dhe se po punohet për kapjen e tyre.
Rreth orës 10.00 paradite, A. M., 56 vjeç banues në lagjen nr. 1 Durrës, ka bërë kallëzim se gjatë natës, në lagjen nr. 15, Durrës, i janë vjedhur një laptop dhe 20 000 lekë në zyrën e tij, në firmën “Adriatik” shpk.
Rreth orës 8.00 paradite, B. Sh., 44 vjeç, banues në Durrës, ka bërë kallëzim se gjatë natës në lagjen nr. 14/1 Durrës, janë vjedhur në banesën e tij disa vegla pune.
Gjatë natës, në lagjen nr. 13 (Plazh), pranë banesës, shtetasit D. K., 26 vjeç, i kanë vjedhur furgonin me targë AA873KE.
Rreth orës 08.00 paradite, 75-vjeçari F. P., banues në Kullë Sukth, ka bërë kallëzim se gjatë natës i kanë vjedhur në banesë tri pula e disa vegla pune.
Gjatë natës është vjedhur me thyerje shkolla e mesme në Thumanë, ku është hapur një dritare e katit të parë dhe është thyer dera e tualetit e katit të tretë për të marrë një bolierë dushi.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





