Vjedhjet e shtëpive dhe marketeve po kthehen problematike në Durrës dhe nuk kanë të ndalur, megjithëse policia herë pas here ka vënë në pranga hajdutë të akuzuar për disa vjedhje, të realizuara në periudha të ndryshme kohore.
Në tre ditët e fundit, janë regjistruar 4 raste të reja vjedhjesh, të gjitha të realizuara gjatë natës, dhe të përqendruara kryesisht në shtëpi dhe subjekte tregtare.
Nga njoftimet e policisë së Durrësit arrihet në konkluzionin se bëhet fjalë për hajdutë ordinerë, që marrin me vete edhe orendi shtëpiake apo pompa uji. Pra, gjithçka që mund të shitet e t'u sigurojë hajdutëve para.
Vetëm në njërin rast, një të riu i janë vjedhur në makinën e parkuar para shtëpisë dy celularë dhe një sasi lekësh, ndërsa në tre vjedhjet e tjera sendet e vjedhura janë steka cigaresh, televizor apo orendi shtëpiake.
Për të gjitha rastet, policia ka nisur hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimet e policisë Durrës:
- Më datë 31.03.2018, gjatë natës, në lagjen nr. 4, para banesës, shtetasit R.Sh, vjeç 26, në mjetin tip “Ford”, i kanë vjedhur dy celularë dhe një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.
- Më datë 01.04.2018, gjatë natës, në lagjen nr. 13, është vjedhur një market, me menaxher shtetasin E.H., vjeç 35, banues në Durrës, ku kanë marrë disa steka cigare. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.
- Më datë 01.04.2018, gjatë natës, në lagjen nr. 13, është vjedhur banesa e shtetases L.T., vjeçe 50, ku kanë marrë disa sende e orendi shtëpiake. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.
- Më datë 02.04.2018, gjatë natës, në lagjen nr. 16, është vjedhur banesa e shtetasit A.O, vjeç 56, ku kanë marrë një televizor dhe një pompë uji. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.





