Dy banesa kanë rënë pre e hajdutëve gjatë natës së kaluar në Durrës.

Po ndërsa në një shtëpi në lagjen nr.5, në pronësi të shtetasit I.T. 49 vjeç ata kanë mundur të marrin lekë dhe bizhuteri, në vjedhjen në zonën e plazhit nuk kanë rezultuar të ‘suksesshëm’.

Hajdutët që kanë tentuar të vjedhin banesën në lagjen nr.13, në pronësi të shtetasit R.Ç. 66 vjeç kanë dështuar në qëllimin e tyre dhe vjedhja ka mbetur në tentativë.

Policia e Durrësit ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët. Bazuar në provat e gjetura në vendngjarje grupi hetimor po punon për të zbuluar nësë bëhet fjalë për persona që janë përfshirë edhe më parë në këtë veprimtari të paligjshme.

Nuk dihet ende nëse vjedhja dhe tentativa e vjedhjes janë realizuar nga i njëjti grup hajdutësh, apo nëse bëhet fjalë për dy grupe të ndryshme që operojnë në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar.