Durrës, 29 prill 2014 – Një automjet tip benz, një motorçikletë, lopë, viça e qingja gjithçka mund të vihet nga hajdutët.

Fenomeni i vjedhjes vazhdon të mbetet shqetësues për efektivët e rendit të qarkut të Durrësit, pasi harta e vjedhjeve është mjaft e gjerë dhe përfshin si lagjet kryesore të qytetit bregdetar ashtu dhe zonat periferike në komuna e fshatra.

3 ditë më parë një automjet tip Benz  me targa TR 3756 T, në pronësi të 27 vjeçarit B.A., banues në Tiranë është vjedhur ndërsa qëndronte i parkuar pranë korpusit universitar “Aleksandër Moisiu”, në zonën e Spitallës.

Ndërkohë dje, efektivët e policisë kanë mundur t’i vënë prangat vetëm dy orë pas vjedhjes së një motorçiklete, 17 vjeçarit F.K. Adoleshenti e kishte vjedhur mjetin motorik rreth orës 19.00 në lagjen nr.12, por mesa duket nuk kishte mundur t’i fshihte shpejt provat që e akuzonin.

Jo vetëm mjetet motorike, por edhe bagëtitë janë një pre e dëshiruar për hajdutët, sidomos në zonat rurale.

Dy vëllezërit Gjepali, banues në një fshat të Shijakut, rezultojnë të jenë hajdutët e një viçi dhe një qingji, që i është grabitur pak netë më parë një bashkëfshatari të tyre. Policia ende nuk ka arritur t’i prangosë dy vëllezërit 17 dhe 19 vjeç.

Gjatë së dielës në kasollen e bagëtive një 67 vjeçari nga fshati Rrashbull i është grabitur një lopë, por deri tani policia nuk ka arritur të identifikojë autorët e kësaj vjedhjeje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/