11 gusht 2015 – Nuk janë të pakta rastet e vjedhjes në qytetin e Durrësit, ku dikush bie pre e hajdutëve në rrugë, në plazh apo dikush tjetër në shtëpi. Një pjesë e tyre arrestohen, e ndërsa për një pjesë tjetër nuk është arritur ende që të identifikohen.
Frika dhe tmerri që mund të përjetojnë qytetarët është akoma më i madh kur grabitësit të hyjnë në shtëpi dhe mbi të gjitha gjatë orëve të natës.
I tillë është dhe rasti i fundit, i cili ka përfunduar me sukses nga ana e policisë, pasi hajduti është arrestuar në flagrancë.
Ai është Enver Haku, 48 vjeç, banues në Durrës. Mësohet se gjatë natës, Haku ka hyrë në banesën e 38-vjeçares me iniciale F.H., të cilës i ka vjedhur një çantë ku kishte 250 euro, dokumente dhe një telefon Nokia. Ngjarja është regjistruar në lagjen nr. 13 të qytetit.
Për fatin e mirë, hajduti 48-vjeçar u arrestua në flagrancë dhe tashmë ai akuzohet për veprën penale “Vjedhja”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





