Durrës, 5 korrik 2014 – Kishte ikur në Greqi duke marrë me vete premtimin e së dashurës se do ta priste përsa kohë do të qëndronin larg njeri-tjetrit, por kur është kthyer ka gjetur një realitet krejt tjetër.
E përballë tradhtisë së vajzës që donte, në gjaknxehtësi e sipër, ka plagosur me thikë ish-të dashurën dhe të dashurin e ri të saj.
Ky ka qenë motivi që ka shtyrë 25 vjeçarin Zydi Llani, të sapo kthyer nga Greqia, të kryente plagosjen e dyfishtë mesditën e sotme, pranë shkollës “Eftali Koçi" në Durrës.
Pasi është kapur nga policia, Zydi Llani ka rrëfyer para hetuesve se sapo ishte kthyer nga Greqia kishte mësuar se e dashura e tij ishte lidhur me një tjetër, pikërisht me 24 vjeçarin F.H.
I ndodhur para këtij fakti ai ka dashur të sqarohet me ish-të dashurën dhe për këtë e ka marrë në telefon. Por thirrjes në celularin e 23-vjeçares N.B, i është përgjigjur i dashuri i saj i ri.
“Ajo është e dashura ime”, mësohet t’i ketë thënë Llani të riut, por ai i është përgjigjur se tani nuk është më e tij. Dy djemtë kanë lënë një takim për t’u sqaruar.
Emigranti ka shkuar sot pranë banesës së 23-vjeçarit, që ndodhet pranë shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi” në Durrës, ku është përballur me ‘rivalin’ e tij dhe ish- të dashurën. Mes tyre ka nisur një debat, i cili ka përfunduar me përdorimin e thikës. Të plagosur kanë mbetur dy të dashuruarit, që janë shtruar në spitalin e Durrësit. Sipas mjekëve, gjendja e 23 vjeçares, mollë sherri mes dy të rinjve, paraqitet më e rëndë.
Llani, i kapur nga policia rreth një orë pas krimit, ka pranuar se kishte qëlluar mbi dy të rinjtë në gjaknxehtësi e sipër. Duket se dashuria për vajzën që nuk i qëndroi besnike do t’i kushtojë tashmë burgun.
Në pamjet filmike që servir A1 Report duket momenti, kur 25 vjeçari, autor i plagosjes së dyfishtë, prangoset nga policia.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





