20 shtator 2015 – Hëpërhë, kinezët nuk kanë ndërmend të futen për investime në shinat tona, i thanë portalit “DurresLajm” burime nga Drejtoria e Përgjithshme Ekzekutive e shoqërisë aksionare publike Hekurudha Shqiptare (HSH), me seli në Durrës. Në qytetin bregdetar e kanë kuptuar se, nga pikëpamja e ekonomisë së tregut, Pekini i sotëm nuk është më ai i kohës së Maos dhe Enverit.
Ministria e Transportit e Infrastrukturës (MTI) bën të ditur se “kompania më e madhe kineze e transportit hekurudhor vjen në Shqipëri”, dhe se “Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto priti [më 11 shtator 2015] përfaqësuesit e firmës kineze CRRC [China Railway Rolling Stock Corporation – DurresLajm], e cila ka shfaqur interes për t’u futur në tregun shqiptar dhe për të investuar në rrjetin hekurudhor”.
Ndërkaq fantazia e ndonjë të përditshmeje shkon më thellë, duke shpikur: “Një kompani e madhe kineze duket se do të jetë përfituesja e koncesionit për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës”. Deri tani nuk ndonjë konfirmim nga Tirana zyrtare për koncesion, përveç faktit që përmendet në njoftimin e MTI-së: “Haxhinasto e informoi palën kineze se po punohet që, brenda këtij mandati qeverisës, të lidhet kontrata për linjën hekurudhore, e cila do të lidhë Tiranën me aeroportin e Rinasit dhe me qytetin e Durrësit”. Thjesht, CRRC-ja nuk merret me ndërtime infrastrukturore, ajo prodhon aksesorë dhe mjete lëvizëse hekurudhore. Ajo interesohet të shesë lokomotiva, vagonë etj. në Shqipëri. Për këtë duhet të paguajë buxheti i shtetit.
Është interesante se dy muaj më parë, më 7 korrik 2015, sipas agjencisë kineze të lajmeve HSINHUA, Ministri i Transportit dhe Komunikacioneve i Maqedonisë Vlado Misajlovski ka shkuar në filialin e CRRC-së në Kinë. Ishte i pranishëm në ceremoninë e përfundimit të prodhimit të një grupi me 3 vagonë-lokomotivë me shpejtësi 140 km/orë dhe me kapacitet 280 udhëtarë. Është një nga 6 njësitë që ka blerë Maqedonia në Kinë. Ky lloj treni do të lëvizë në linjën 215 km të gjatë Tabanovce (Maqedonia veriore)-Shkup-Gevgelija (kufiri jugor me Greqinë).
Info
Në vitet 1966-1972, në kulmin e miqësisë shqiptaro-kineze, Pekini ka furnizuar Shqipërinë me 41 vagonë udhëtarësh me kapacitet 120 vende secili. Me një tren me vagonë kinezë, i shoqëruar nga komandantja e aksionit të rinisë, ka udhëtuar diktatori shqiptar Enver Hoxha nga Rrogozhina në Fier në përurimin e linjës përmes Myzeqesë (në foton majtas). Po ashtu Kina ka furnizuar Shqipërinë me vetëshkarkues mallrash (Vs/k) dhe vagonë me sponde të larta (Sn4) për transport qymyri.
/th. m. portali DurresLajm/