Në shkollën e mesme teknologjike “Hysen Çela” në Durrës kanë nisur regjistrimet për nxënësit që duan të ndjekin studimet pranë kësaj shkolle, në një nga 5 degët profesionale që ajo ofron.
Prej rreth 10 ditësh regjistrimet kanë nisur online në portalin e-Albania, por të gjithë prindërit dhe nxënësit e interesuar mund të paraqiten këto ditë pranë ambienteve të shkollës për ta parë atë nga afër, kabinetet, për t’u takuar me stafin pedagogjik e pse jo për të marrë edhe gjithë asistencën e nevojshme për regjistrimin.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Blerina Dervishi, thotë në një prononcim për “DurrësLajm” se regjistrimi në arsimin profesional është një zgjedhje e mençur, ndërsa përmend edhe avantazhet që ofrohen për të rinjtë në 4 vitet e studimit.
Nga 840 nxënës që e mbyllën vitin shkollor 2024-2025 në këtë shkollë profesionale, 240 ishin në klasën e dhjetë. Ndërkohë objektivi për vitin shkollor 2025-2026 është që kjo shifër të tejkalohet për regjistrimet në vit të parë.
Ndjekja e arsimit profesional u mundëson nxënësve jo vetëm punësim gjatë viteve të studimit dhe praktika mësimore pranë bizneseve, por edhe ndjekjen e shkollës së lartë në një tjetër degë ndryshe nga ajo që ndoqën gjatë shkollës së mesme.
Pranë shkollës “Hysen Çela” ndjekin studimet jo vetëm nxënës nga Durrësi dhe rrethinat, por edhe nga qytete të tjera të vendit. Regjistrimetjanë të hapura deri më datë 30 shtator, ora 23.59.
M.B.





