DURRES, 16 mars 2013 – Lëvizja e lirë drejt hapësirës Shengen, përveç lehtësirave që ka sjellë për lëvizjen e shqiptarëve jashtë kufinjve, ka rritur ndjeshëm vëmendjen e efektivëve të policisë kufitare për të parandaluar daljen jashtë kufinjve shtetërore të personave që nuk lejohen të shkelin këtë hapësirë.
Burime të policisë së Durrësit konfirmojnë për Agjencinë e lajmeve “Dyrrah” se gjatë 75 ditëve të para të këtij viti u është refuzuar udhëtimi për në hapësirën Shengen 820 personave. Shërbimet e policisë kufitare në portin e Durrësit kanë konstatuar se në 820 raste shtetas të ndryshëm kanë pasur mangësi në dokumentacionin e kërkuar, ndërkohë që shumë të tjerë i përkisnin kategorisë Inad ose Deportiv pas dates 15.12.2010.
Duke analizuar numrin e konsiderueshëm të rasteve të refuzimit të kalimit të kufirit bazuar në procedurat standarte të punës së policisë kufitare, kjo e fundit “i tërheq vëmendjen qytetarëve shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë në vendet e BE-së, të pajisen me të gjithë dokumentacionin e duhur për këtë qëllim”.
Ndërkohë vetëm një ditë më parë kreu i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit, Pëllumb Nako deklaroi se 75 mijë shqiptarë rezultojnë të jenë shpallur ‘non grata’ në hapësirën Shengen.
Kreu i Kufirit dhe Migracionit sqaroi se fakti që numri i shqiptarëve “non grata” është kaq i lartë, ka lidhje me veprimtarinë e tyre të paligjshme, duke përfshirë edhe shkeljet e rregullave të lëvizjes. “Në momentin që ka filluar liberalizimi i vizave në mënyrë informale, ka qenë rreth 75 mijë numri i personave të cilët kanë qenë të padëshirueshëm në hapësirën Shengen, pra, 75 mijë persona të cilët ishin kandidatë për emigracion ilegal, 75 mijë persona që nuk plotësonin më kushtet për të hyrë në zonën Shengen”, – tha Nako gjatë fjalës së tij mbajtur nw tryezën për lëvizjen e lirë, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





