Zhbllokohet situata përsa i përket bonusit të qirasë që përfitojnë familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti në Durrës.
Burime zyrtare të bashkisë konfirmojnë për DurrësLajm se gjatë ditës së enjte dhe të premte ka kaluar një pjesë e fondit nga buxheti i shtetit në bankat e nivelit të dytë, ndërkohë që të hënën e javës së ardhshme pritet të kalojë edhe pjesa e mbetur.
Pas kësaj, do të jenë bankat që do të kalojnë paratë në llogaritë e qytetarëve përfitues. Pritet që gjatë javës së ardhshme të nisë disbursimi i bonusit në llogaritë bankare të rreth 4000 qytetarëve durrsakë, të cilët tërmeti i 26 nëntorit ua shpalli shtëpitë të pabanueshme.
Ky është kësti i pestë i bonusit të qirasë, që normalisht duhet të derdhej në llogaritë e qytetarëve gjatë muajit maj, por kjo gjë nuk ndodhi. Qytetarët durrsakë pritet ta përfitojnë atë përgjatë 15-ditëshit të dytë të muajit qershor. Nuk dihet ende, nëse buxheti i shtetit do të kalojë në qershor edhe fondet për këstin e gjashtë që normalisht duhet të disbursohet përgjatë këtij muaji.
Vonesa e tejzgjatur në kalimin e këstit të radhës së bonusit të qirasë shqetësoi së tepërmi qytetarët durrsakë, pasi pronarët e shtëpive ku janë strehuar përkohësisht u kërkonin qiranë mujore. Të shqetësuar shumë prej tyre shkruanin në redaksinë e DurrësLajm se rrezikonin të mbeteshin mes 4 rrugëve, pasi pronarët e shtëpive me qira i kërcënonin me nxjerrje nga shtëpia, nëse nuk u jepnin qiranë.
Për shumë banorë të Durrësit, pasojat e tërmetit dhe kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19 janë reflektuar qartë në të ardhurat mujore. Shumë familje kanë humbur vendin e punës, ndërsa të tjera janë në ankth për fatin e banesave të tyre. Disa janë në pritje të marrjes së dëmshpërblimit nga granti i Rindërtimit për banesat me dëme DS1, DS2 dhe DS3, ndërsa shumë të tjerë ende nuk dinë fatin e pallateve të braktisura prej muajsh, pasi akt-ekspertizat e thelluara për godinat me dëme DS4 dhe DS5 ende nuk janë dërguar të gjitha nga Instituti i Ndërtimit.
Sipas bashkisë së Durrësit, në pallatet e shembura gjatë kësaj periudhe do të ndërtohen godina të reja, ku do të strehohen banorët e mbetur pa shtëpi. Deri tani qeveria Rama ka miratuar 5 zona për zhvillim në qytetin bregdetar, nga të cilat dy janë në Shkozet, një në zonën e Spitallës, një në lagjen nr.18, ndërsa zona nr.5 përfshin të gjithë qendrën e Durrësit.
Në një komunikim live pak javë më parë, kryeministri deklaroi se nga vjeshta do të niste procesi i Rindërtimit në bashkinë e Durrësit, ndërkohë që puna për ndërtimin e shtëpive private të banorëve në zonat rurale pritet të nisë më shpejt.
Në pritje të nisjes është edhe procesi i rindërtimit të shkollave 9-vjeçare dhe kopshteve të shembura në qytet dhe njësitë administrative. Deri tani nuk ka një datë konkrete se kur do të nisë puna në kantieret e rindërtimit të shkollave të reja.
M.B.





