Me rreth 30 tablo dhe grafika të realizuara në vitet 80 dhe 90 të shekullit të kaluar, u paraqit para artdashësve durrsakë dhe admiruesve të artit pamor, piktori Muhamed Malilaj.
Ekspozita e tij personale, e hapur në galerinë e arteve pamore të qytetit, titullohet “N’mugë” dhe njësoj si udhëtimi shpirtëror i artistit në ato vite të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, tablotë paraqesin 2 këndvështrime të ndryshme të realitetit shqiptar.
Vendin e ngjyrave dhe dritës në natyrat e qeta, portretet etj të realizuara në vitet e rinisë së piktorit Malilaj, e zënë ngjyrat bardh e zi, që dominojnë në grafikat e viteve 90, të cilat dëshmojnë ditarin jetwsor dhe tallazet shpirtërore të tij, njësoj si tallazet që po kalonte populli shqiptar në ato vite të përmbysjes së regjimit komunist dhe krijimit të demokracisë së brishtë.
Përgjatë dy dekadave, krijimtaria e piktorit ka pësuar transformime të dukshme, të cilat konstatohen qartë në penelatat me të cilat ai ka përcjellë në telajo realitetin shqiptar të atyre viteve.
Por krijimtaria e tij artistike nuk ndalet vetëm këtu. Punimet më të fundit të tij, Muhamed Malilaj pritet t’i sjellë për artdashësit në një tjetër ekspozitë.
Ekspozita e hapur pasditen e së premtes tërhoqi vëmendjen jo vetëm të njerëzve të artit të qytetit, por edhe turistëve të huaj, që e vizituan me mjaft kuriozitet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 24 prill.
M.B.





