Në Durrës numërohen 2 200 të sëmurë tumoralë, kurse në ambulatorin e kabinetit të onkologjisë vizitohen 60 pacientë në muaj
DURRËS, 20 shtator 2014 – Për herë të parë ndihmë mjekësore dhe psikologjike për të sëmurët me kancer në pjesën e mbetur të jetës, këtë ofron spitali publik i qytetit bregdetar, nëpërmjet ngritjes së një klinike të posaçme.
Hapja e klinikës në spitalin rajonal u mundësua nga bashkëpunimi me shoqatën Ryder. Shërbimi është ambulator, kurse klinika ka 4 shtretër për të sëmurët dhe po kaq shtretër janë në kimioterapi. Të sëmurët me kancer marrin në këtë klinikë ndihmë shumëplanëshe nga stafi i mjekëve, infermierëve dhe psikologëve.
Përveç ndihmës mjekësore, të sëmurët për herë të parë kanë asistencë në aspektin psikologjik, për të përballuar me sa më pak vuajtje sëmundjen. Kjo klinikë është në funksion të të sëmurëve tumoralë në stadin e fundit të jetës, gjendja e të cilëve është e vështirë të përballohet vetëm nga familjarët. Çdo muaj në ambulatorin e kabinetit të onkologjisë numërohen 60 pacientë që vizitohen. Ndërkohë që shifrat e të sëmurëve tumoralë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit në Durrës duke shkuar në mbi 2 200 të tillë.
Info
Kujdesi paliativ është dhënia e ndihmës mjekësore dhe psikologjike në pjesën e mbetur të jetës për të sëmurët me kancer. Për shkak të sëmundjes së rëndë, këta pacientë kanë vështirësi, jo vetëm në përballimin e dhimbjeve, por edhe në pranimin e faktit që sëmundja është vdekjeprurëse.
Shoqata Ryder Albania(SHRA) është organizatë jo-fitimprurëse, e cila e ka filluar aktivitetin e saj në nëntor të vitit 1993 si shërbim falas i asistencës në shtëpi (mjekësore, psikologjike dhe social-ekonomike) për të sëmurë me kancer në fazë terminale dhe të moshuar me sëmundje kronike, me mbështetjen e Sue Ryder Care në Britaninë e Madhe.
Në vitin 1996 është hapur dega e Ryder Albania në qytetin e Durrësit
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





