Pranë gjykatës së faktit në Durrës u hap “Qendra e Ndihmës Ligjore Falas”, për të gjithë grupet dhe kategoritë e diskriminura dhe që nuk kanë mundësitë për të patur një avokat apo një psikolog.
Të gjitha kategoritë në nevojë, përfshirë dhe ato të diskriminuara do të kenë një mundësi më shumë për një avokat dhe ndihmë juridike falas në Durrës.
Në Ditën e Kombeve të Bashkuara pranë Gjykatës së shkallës së parë Durrës u çel zyrtarisht klinika ligjore që synon t’u japë akses të barabartë në organet e drejtësisë dhe institucionet publike dhe qytetarëve që nuk kanë të ardhura, si dhe përfaqësuesve të komuniteteteve LGBT, rom dhe egjiptiane tha Limya Eltayeb, Drejtore e PNUD-it.
Ndërkohë juristja e njohur Aurela Anastasi tha se ligji në fuqi nuk zbatohet, ndërsa projektligji për ndihmë juridike falas ka mbërritur për miratim në Kuvend.
Gjykata e Durrësit përballet me një volum të madh çështjesh e ndërsa ndihma ligjore falas nuk ofrohet ende nga shteti, nisma në mbështetje të të varfërve janë të mirëpritura tha Joana Qeleshi, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës
Brenda muajit të parë të funksionimit, Klinika ligjore falas ka trajtuar 21 raste të ndryshme kryesisht administrative dhe familjare, mes të cilave dhe atë të një fëmije të vdekur që në vitin 1999 ne Sukth, po që ende figuron i gjallë në rregjistrat e gjendjes civile.Përvec Durrësit, zyra të kësaj natyre janë hapur edhe në Fier, Lezhë e së shpejti në Tiranë.
Ky aktivitet organizohet në kuadrin e projektit “Fuqizimi i grupeve të varfëra dhe të margjinalizuara përmes ofrimit të ndihmës juridike falas dhe edukimit ligjor, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës”, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD dhe fonde të Qeverisë së Turqisë.
K.H.





