Durrës, 11 mars 2014 – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë vizitës së tij në Durrës ditën e martë është ndalur në terminalin e autobuzëve ndërqytetës. Nga qyteti bregdetar, Haxhinasto deklaroi se qeveria synon modernizimin e udhëtimit ndërqytetas me autobuzë. Sipas Haxhinastos, të gjithë autobuzët që do të kryejnë transportin e udhëtarëve nuk do të jenë më të vjetër se prodhimi i vitit 2000. Ndërkohë kriter tjetër që duhet të plotësojnë këto mjete është fakti se duhet të jenë të pajisur me motor diezel euro 5 deri në fund të këtij viti, me qëllim uljen e nivelit të ndotjes së ambjentit.
Haxhinasto gjatë vizitës së tij pa nga afër kushtet që ofron terminali i autobuzëve si dhe vetë mjetet që kryejnë transportin e udhëtarëve. Gjatë fjalës së tij, ministri deklaroi se Durrësi ka një terminal model, si dhe vlerësoi faktin se mjetet e transportit ofrojnë kushte të larta sigurie. Ai deklaroi se po punohet që të njëjtat standarte si ato që plotëson terminali i Durrësit duhet të ekzistojnë në të gjitha qytetet e vendit.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me furgonët taksi 8+1, ministri Haxhinasto nuk ka ndryshuar asnjë presje nga qëndrimi i shprehur kohë më parë. Sipas tij, për furgonët taksi 8+1 do të vazhdojë të zbatohet ligji nen për nen.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





