Durrës, 30 maj 2014 – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe zv/presidentja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Laura Tuck kanë qenë të pranishëm tek impianti i përpunimit të ujërave të ndotura në Durrës.
Delegacioni i lartë i BB pa nga afër investimin e realizuar në këtë impiant si dhe u njoh me ecurinë e shoqërisë së Ujësjellës Kanlizime Durrës dhe projektin e ri që financohet nga BB. Banka Botërore do të financojë projektin e ndërtimit të ujësjellësit të ri në Durrës, i cili kap vlerën 62.5 milionë euro.
Ministri Haxhinasto u shpreh se ky projekt parashikon furnizimin me ujë të pijshëm të Durrësit dhe rrethinave deri në vitin 2040. Ministri gjithashtu theksoi nevojën për një reformë të thellë që duhet të zbatohet në sektorin e ujit dhe kanalizimeve, ndërsa zv/presidentja e BB Laura Tuck e vlerësoi projektin e ri si mjaft të rëndësishëm, duke shprehur bindjen se në përfundim të tij popullata do të ketë shërbime më cilësore, ndërsa ndërmarrja më shumë të ardhura financiare.
Projekti i Bankës Botërore përveç ndërtimit të linjës së re të ujit të pijshëm, parashikon edhe rehabilitimin e gjithë zonës së plazhit dhe Durrësit për kanalet sekondare dhe terciale. Ai parashikohet të përfundojë në vitin 2018.
Drejtori i UKD, Spartak Kovaçi ka shpjeguar situatën aktuale si dhe synimet që ka ndërmarrja e drejtuar prej tij për arritjen e objektivave në lidhje me rritjen e arkëtimeve dhe kapaciteteve teknike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





