Durrës, 21 qershor 2014 – Nga baza e mjeteve hekurudhore, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto u bëri ftesë sipërmarrësve të huaj të investojnë në hekurudha. Aksioner me qeverinë, apo kontrata koncesionare, mundësitë janë të hapura.
“Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e ka prioritet çështjen e investimeve në hekurudhë dhe po shikojmë gjithë mundësitë tona të brendshme për ta ringjallur hekurudhën, por jemi gjithashtu të hapur edhe për bashkëpunime strategjike me investitor të ndryshëm, jemi të hapur për të dhënë kontrata koncesionare për segmente të ndryshëm të hekurudhës si dhe për forma të ndryshme si Partneriteti Publik dhe Privat”, -u shpreh Haxhinasto.
Investimet e para të huaja kërkohen në zonën Tiranë – Durrës, ku është përqëndruar pjesa më e madhe e popullsisë, por njëkohësisht vëmendje e madhe po u kushtohet edhe linjës hekurudhore me Maqedoninë dhe Malin e zi.
“Një prioritet madhor përbën realizimi i trekendëshit hekurudhor Tiranë-Rinas–Durrës për të cilën është duke u realizuar projekti i detajuar dhe besoj se në të ardhmen e afërt do të shikojmë edhe mundësinë e investimit të saj. Po kështu prioritet përbën edhe përmirësimi i linjës midis Durrësit dhe Pogradecit duke parë edhe potencialin e lidhjes me Maqedoninë. Prioritet gjithashtu përbën edhe lidhja e Durrësit me Bajzën dhe më lartë me Malin e Zi, të cilat janë linja kryesisht për trajtimin e mallrave dhe që kanë filluar t’i sjellin të ardhura të konsiderueshme hekurudhës shqiptare”, – nënvizoi Haxhinasto.
Aktualisht gjendja e linjave hekurudhore në pjesën më të madhe të vendit lë për të dëshiruar.
Ministri Haxhinasto theksoi se “jemi duke e parë hekurudhën me gjithë vëmendjen e duhur, veçanërisht potencialin e jashtëzakonshëm që ajo ka për Shqipërinë, për lidhjet me fqinjët por edhe për gjithçka tjetër që ka të bëjë me punësimin e njerëzve pasi duke përmirësuar kapacitetet këtu, 161 punëtorë që janë aktualisht mund të bëhen 300 punëtorë nesër dhe të arrijnë të krijojnë vlera shumë më të mëdha”.
Më pas, ministri Haxhinasto u ndal në Qendrën Profesionale të Trajnimit të Detarëve në qytetin bregdetar. Nga kjo qendër, Haxhinastro premtoi se brenda viti numri i të punësuarve në këtë sektor do të arrijë në 1000 persona.
“Qendra ka shërbyer edhe për të krijuar një mundësi reale për kursantët, për detarët e rinj për tu punësuar. Deri më sot janë punësuar rreth 200 detarë pranë operatorëve të ndryshëm ndërkombëtarë dhe kërkesa për ta vazhdon të jetë në rritje. Me drejtuesit e kësaj qendre kemi folur për punësimin e 1000 vetë brenda këtij viti”, tha ai.
Sipas Haxhinastos, tregu i shërbimeve detare në Shqipëri duhet të rritet dhe të zgjerohet sipas të gjithë cilësive dhe standardeve që kërkon sot tregu i shërbimeve detare.
“Jam i bindur,- vijoi ai,- që kjo qendër do të shërbejë për përgatitjen e detarëve me të gjithë kualifikimet e nevojshme dhe për industrinë e re që po ngrihet në Shqipëri që është industria e detit, e cila e përsëris ka një rrugë të gjatë për të bërë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





