Durrës. Haxhinasto në port, prek dhe problemet e ngritura nga “Dyrrah”

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës: Tarifat e larta që portet shqiptare ofrojnë janë një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot ky sektor; siguria është një çështje emergjente dhe kërkon përmirësim të ndjeshëm; po ndërmerret një plan masash për mjetet lundruese mbi 50 vjet për vendosjen e kritereve dhe standardizimit  

DURRËS, 22 janar 2015 –  Autoriteti Portual Durrës ishte mikpritës i konferencës mbi arritjet e vitit 2014 dhe sfidat e vitit 2015 në sektorin e porteve dhe transportit detar, të mbajtur më 21 janar 2015 në sallën konferencave. Ishte i pranishëm dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto. Morën pjesë drejtues të porteve të Vlorës, Sarandës, Shëngjinit dhe Durrësit, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Fillimisht raportuan shkurt drejtori i portit të Sarandës, Sotir Davella; i Vlorës sh.a. Xhevahir Çeloaliaj; Shëngjinit, Gjovalin Tusha, si dhe i APD, Selim Belortaja, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmend Tahiri.

Në fund e mori fjalën kreu i dikasterit Edmond Haxhinasto, i cili, pasi vlerësoi arritjet e secilit institucion dhe garantoi mbështetje maksimale për zhvillimin e mëtejshëm në transportin detar, e cilësoi 2014-ën, si vit dinamik për transportin detar në tërësi, duke u ndalur në prirjet pozitive të rritjes së vëllimeve në porte me rreth 2 për qind për transportin e mallrave dhe rreth 8.5 për qind për atë të udhëtarëve. Bie në sy fakti që ministri i Transportit dhe Infrastrukturës ndonëse nuk iu referua drejtpërdrejt “Dyrrah”-ut (durrëslajm.com), pranoi problemin e sigurisë portuale, premtoi rishikimin e tarifave dhe parandalimin e futjes në portet shqiptare të trageteve dhe anijeve të transportit me moshë deri në 50 vjet.  

Mes të tjerave, Ministri Haxhinasto tha:

KAPACITET E PASHFRYTËZUARA

“Kapaciteti aktual i shfrytëzuar i porteve është në nivelin rreth 60 për qind. Kemi hapësirë të madhe për shfrytëzim vëllimesh dhe rritje të të ardhurave, si domosdoshmëri që i shërben ekonomisë. Kërkoj një planifikim më të mirë të koordinimit të fuqisë dhe kapaciteteve të porteve pasi ju kujtoj se jemi porta hyrëse e Korridorit VIII. Na paraqitet një potencial i jashtëzakonshëm, i cili do të konkretizohet më tepër kur të finalizojmë dhe veprat e tjera infrastrukturore si hekurudha apo përmirësimi i lidhjeve rrugore.

KONKURRUESHMËRIA

Rritja e konkurrueshmërisë është objektivi prioritar për portet dhe për këtë kërkoj të rritet angazhimi dhe të realizohen ato, që çojnë në përmbushjen e tij. Duhet të ketë angazhim maksimal në çdo nivel të politikëbërjes si nga ana e qeverisjes, e porteve, por dhe nga ana e biznesit. biznesi është pjesë e pandashme dhe domosdoshmëri për emergjencën e rritjes së kapaciteteve, veçanërisht në porte, ku disa nga shërbimet operohen nga aktorë privatë. Ju, si drejtues të porteve, duhet të kërkoni nga operatorët të punojnë me cilësi maksimale, me të njëjtën cilësi që këta operatorë ofrojnë në shtetet e tyre. Duhet të konsideroni etikën e lartë në marrëdhënie me biznesin, të jeni rigorozë, kërkues, por edhe fleksibël,                         

Partneriteti me operatorë të rinj duhet të mirëpritet dhe stimulohet nga portet në vend duke njohur investitorët e mundshëm me zhvillimet dhe planet e e sektorëve të transportit si një i tërë, si hekurudha, rrugët, shërbimet aktuale dhe potenciale në portet e vendit.

TARIFAT

Tarifat e larta që portet shqiptare ofrojnë janë një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot ky sektor dhe për këtë ekipi i posaçëm i ngritur pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës pritet të dalë me konkluzionet dhe një projekt të plotë. Për këtë çështje po konsiderohet rishikim i tarifave, të koordinuara për të gjithë portet. Jemi në nivele ende shumë të larta krahasuar me portet e rajonit dhe kjo na bën të reflektojmë dhe të ndërmarrim hapat e duhur. Është domosdoshmëri një politikë e mirëkoordinuar për tarifat, mes porteve. 

Është koha të trajtojmë një paketë të veçantë për biznesin e Kosovës që përdor portet tona, me qëllimin për të krijuar lehtësira maksimale për komunitetin e biznesit kosovar.

SIGURIA

“Siguria është një çështje emergjente dhe kërkon përmirësim të ndjeshëm. Jo vetëm realiteti me të cilin përballen portet tona, por edhe sfidat që përballemi në kuadër të zhvillimeve ndërkombëtare, si trafiqet dhe terrorizmi kërkojnë prioritarizimin e sigurisë. Për këtë të merren masa emergjente për realizimin e planeve të sigurisë në secilin port, si edhe të jenë gati infrastruktura dhe kapacitete njerëzore për realizimin e  tij.

JO MË ANIJE ME MOSHË MBI 50 VJET NË PORTE

Problemi i rinovimimit të moshës së mjeteve që prekin ujërat shqiptare është sfidë dhe po ndërmerret një plan masash për mjetet lundruese mbi 50 vjet për vendosjen e kritereve dhe standardizimit. Mekanizmi i tarifave do të jetë një nga elementët që do të ndihmojë të ndikojë për rinovimin e moshës së mjeteve që prekin ujërat tona.

FLAMURI NGA ZONA GRI NË TË BARDHË

Shqipëria është në listën e bardhë sa i përket standardeve të konventës ndërkombëtare të STVË për aftësimin e detarëve shqiptarë, për herë të parë në historinë e saj, por kërkohet angazhim maksimal dhe intensivitet pune që flamuri detar i vendit tonë të dalë nga zona gri dhe të jetë sa më shpejt në zonën e bardhë. 

THELLIMI I PORTIT

Thellimi i portit Durrës është një nga projektet më prioritarë të sektorit dhe ndaj kërkoj përshpejtimin dhe aktivizimin e projektit. Ky projekt është jetik për Portin e Durrësit.

Shërbimet mbështetëse dhe shërbimet logjistike duhen përmirësuar. Porti duhet të konsiderohet nga ju për tërësinë e elementëve, kapaciteteve dhe shërbimeve që ofron dhe të marrë angazhimin tuaj çdo element i tij, vetëm kështu mund të jenë portet tona të konkurrueshme.

KAPACITETET NJERËZORE

Përgëzoj zhvillimet pozitive në kapacitetet njerëzore dhe drejtimin e duhur ku ky sektor po ecën, por trajnimet dhe edukimi aktual që ofrohet në këtë sektor është ende i pamjaftueshëm. Duhet të rrisim kapacitetet menaxheriale dhe kapacitetet e administratës në industrinë detare. Ky është kusht jo vetëm për zhvillimin e sektorit, por dhe për mundësinë reale të punësimit që ofrohen në këtë industri, pasi  kjo mazhorancë ka punësimin si një nga prioritetet e saj absolute”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/