DURRËS, 1 shkurt 2014 – Do ta anulohen koncesionet në portin e Durrësit nëse pas verifikimeve do të rezultojnë problematike, deklarata është bërë më 1 shkurt 2014 nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto pasi u pyet nga “Dyrrah”-u. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto në vizitën e tij të parë zyrtare në portin më të madh të vendit, në Durrës, më 1 shkurt 2014, pasi zhvilloi një takim me drejtuesit e portit, inspektoi nga afër terminalin e udhëtarëve, si dhe një nga tragetet e linjës Durrës-Bari. Haxhinasto erdhi në portin e Durrësit për të parë më nga afër cilësinë e shërbimeve që u ofrohen operatorëve të transportit të mallrave dhe pasagjerëve.
DEKLARIMI
Pyetje e “Dyrrah”-ut: – Z. Ministër, kolegu juaj në qeveri dhe LSi, Lefter Koka, ka deklaruar në parlament se një gjermano-laçian mori terminalin e udhëtarëve. Cili është komenti juaj?
Ministri Edmond Haxhinasto: – Unë prandaj jam këtu: për të inspektuar portin e Durrësit, për të parë si funksionon çdo operator – privat apo publik. Nëse do të rezultojë që ndonjë nga koncesionarët do të jetë problematik, do të marrim masa si qeveri deri në anulim koncesioni pa dëmtuar interesat publikë. Qëllimi i qeverisë me këto koncesione është të rrisë cilësinë e shërbimeve ndaj klientëve, të ulë kostot për shqiptarët që përfitojnë nga këto shërbime dhe të ndërhyjë që porti i Durrësit të jetë një port konkurrues në rajon. Shpresoj që të mos jetë e largët dita që porti i Durrësit të shndërrohet në një port kryesisht turistik, ndërsa porti i Shëngjinit të jetë port i përmasave evropiane, ku të përpunohen kontejnerë, minerale, mallra gjenerale.
/Gjergj Thanasi, agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





