DURRËS, 22 shkurt 2014 – Shpërthen skandali i blerjes së provimeve në universitetin publik “A. Moisiu”, ku janë implikuar dy pedagogë, një përgjegjës departamenti dhe dy studentë. Kishte kohë që përflitej për nivelin e lartë të korrupsionit në mësimdhënie, blerje notash, emërime, tenderime. Ngjarja e fundit është vetëm maja e ajsbergut.
QË NGA PËRGJEGJËSJA E DEPARTAMENTIT…
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se orët e para të fundjavës, e shtunë, 22 shkurt 2014, seksioni krimit ekonomik dhe financiar i Durrësit, në bashkëpunim me drejtorinë e krimit ekonomik dhe financiar dhe drejtorinë e forcës së posaçme pranë Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë se Shtetit, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Master”. Bazuar në të dhënat dhe provat e grumbulluara gjatë hetimit, gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 21 shkurt 2014, ka vendosur masën e sigurimit personal të arrestit në burg për mësimdhënësin e trajnimit mjekësor Endrit S., 32 vjeç, dhe përgjegjësen e departamentit të mjekësisë Odeta T., 40 vjeçe; të dy me banim në Tiranë, pedagogë në universitetin publik “Aleksandër Moisiu”, fakulteti i infermierisë. Po ashtu arrest me burg u është dhënë edhe dy studenteve të të njëjtit fakultet në universitetin bregdetar: Eralda L., 21 vjeçe, banuese në Kavajë, dhe Merushe B., 39 vjeçe, banuese në Durrës. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për një tjetër student për infermier.
15 MIJË LEKË PËR NJË PROVIM
Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, pas një hetimi dymujor, ka ngritur akuzat për korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim. Dyshohet se të ndaluarit, në periudha të ndryshme, kanë favorizuar studentë të këtij fakulteti në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme. U arrit të provohet me prova ligjore se për çdo provim pedagogët përfitonin si ryshfet nga çdo student deri në 15.000 lekë. Më pas provimet e dhëna korrigjoheshin nga vet studentët e akuzuar dhe vlerësimi bëhej në varësi të shumës së dhënë ryshfet nga studenti.
Info
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) është institucion publik i arsimit të lartë i krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nr. 801, datë 20.12.2005. Për herë të parë universiteti hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007. Ish-kryetari i PDSH-së dhe ish-kryeministri Sali Berisha e ka vizituar disa herë këtë universitet dhe gjatë fushatave elektorale. Universiteti publik “Aleksandër Moisiu” Durrës. Ndaj universitetit janë bërë shpesh akuza në media se drejtuesit e tij janë afër strukturave të PD-së ku anëtarë janë drejtuesit (njëri është anëtar i kryesisë së degës së PD-së dhe anëtar i këshillit bashkiak për selinë blu) dhe mësimdhënësit, dhe janë punësuar mbi 200 militantë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Një nga VIP-at është anëtar i kryesisë së degës së PD-së dhe anëtar i këshillit bashkiak për selinë blu. Rekrutimi gjatë 8 vjetëve, është kryer mbi bazën e besnikërisë ndaj partisë në pushtet. Nuk duhet të jesh personalitet që vjen nga bota e biznesit apo nga ajo akademike jashtë shtetit. Besnikët e PD-së merren në punë dhe në Tiranë, por jo durrsakët pa parti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





