DURRËS, 21 maj 2014 –  Trekëndëshi Bajzë (kufi me Malin e Zi)-Durrës-Elbasan po mban në punë transportin hekurudhor shqiptar.

Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme ekzekutive të shoqërisë publike / shtetërore Hekurudha Shqiptare (HSH) sha me seli në Durrës (mirësjellje e administratorit, z. Genc Alizoti), gjatë 4-mujorit 2014 janë transportuar 64 211 tonë mallra, duke realizuar një vëllim prej 9 482 517 ton/kilometra, me një distancë mesatare prej 147.6 km, duke lëvizur në shina 1 570 vagonë.

Peshën kryesore, për pasojë, të ardhurat më të mëdha, e ka mbajtur stacioni verilindor kufitar i Bajzës me 42 994 tonë, ose rreth 67 për qind e totalit të vëllimit si hekurudhë dhe me 7 912 462 ton/kilometra ose 83,44 për qind të vëllimit gjithsej, kjo për shkak të distancës së madhe mesatare të transportimit të mallit prej 184 km me 1 037 vagonë në destinacionet: Elbasan (216 km), Kavajë (166 km), Durrës (143 km), Tiranë (140 km), Sukth e Kashar (135 km), Vorë (125 km).

Ndërsa rajonet Durrës dhe Elbasan i ka mbajtur me “bukë” grupi metalurgjik turk Kurum Steel.

Kështu, nga Durrësi janë transportuar 11 794 tonë skrap me 313 copë vagonë, kurse nga Elbasani në Durrës janë transportuar për eksport 9 423 tonë çelik dhe prokat me 220 copë vagonë.

Por jo vetëm kaq, Elbasani ka ndikuar dhe në rritjen e distancës mesatare, pasi nga importi (Bajza) janë 4 412 tonë skrap me 101 copë vagonë; 1 318 tonë qymyr me 33 vagonë dhe 54 tonë elektroda me 1 vagon.

Kështu, Kurum-i ka përdorur transportin me shina si më të leverdishëm për 27 001 tonë (nga Elbasani, Durrësi, Bajza), ose i ka dhënë hekurudhës shqiptare 42 për qind të “bukës” si periudhë janar-prill 2014.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/