Situatë financiare shumë të rëndë, borxhet që hekurudha ka aktualisht i kalojnë 4-5 milionë dollarë
Nga Marinelë Dushi
DURRËS, 6 dhjetor 2013 – Është vetëm punë ditësh që 300-400 punonjës të hekurudhës të shkarkohen nga puna. Gjendja e rëndë në të cilën ndodhet kompania publike “Hekurudha Shqiptare sha” (HSH sha) ka bërë që drejtuesit të bëjnë gati listën me të paktën 300-400 shkarkime. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i sindikatës së hekurudhës, Osman Meta, i cili i trembet faktit se drejtuesit mund të marrin vendime të gabuara, duke larguar persona që kanë pasur dhe vazhdojnë të kontribuojnë për hekurudhën. Meta bënë të ditur se për shkarkimin e punonjësve të hekurudhës nuk po respektohet kodi i punës. Në të njëjtën kohë, ai ka bërë apel Drejtorisë së Hekurudhës të marrë parasysh propozimet e bëra nga sindikata. “400 punonjës të hekurudhave Shqiptare pritet të preken nga reforma për shkak të gjendjes së rënduar financiare, ndërsa në total numri i të larguarve arrin në 800. Ne presim që qeveria e re të hapë vende pune jo të largojë nga puna njerëz, që e kanë të vetmen mënyrë për të mbajtur familjet”, u shpreh Meta. Kjo reformë nuk mbështet nga kreu i sindikatave të pavarura të hekurudhave Osman Meta, i cili tha se nuk po respektohet Kodi i Punës, pasi nuk mund të ketë reformë në hekurudhë pa u dhënë pagesa që përcakton ligji për punonjësit e larguar. Që hekurudha të mos shkojë drejt rrënimit të plotë, kreu i sindikatave i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme ekzekutive të HSH sha të marrw parasysh propozimet e tyre, të cilat më herët i kanë paraqitur pranë institucionit përkatës. Ndërkaq kreu i sindikatave në fjalën e tij akuzoi qeverinë se nuk po merr masa për vjedhjet e aksesoreve te rëndësishëm të hekurudhës, duke nxjerrë jashtë funksioni disa linja. Sipas tij, nuk behet fjalë për krize në këtë sektor por mungesë vizioni në drejtim të ristrukturimit. Pas deklaratës së kreut të sindikatës, reagon drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i HSH sha, Genc Alizoti, ku shpjegon arsyet përse do të ketë shkurtime të tjera në hekurudhë. Sipas Alizotit, shkurtimet do të bëhen si pasojë e gjendjes së vështirë financiarë. Edhe pse ka pak kohë që është emëruar si drejtori ekzekutiv i HSH-sw, ai e ka deklaruar gjendjen tejet të amortizuara. “Është e vërtetë që do të ketë një tjetër reformë në hekurudhë, pasi gjendja e hekurudhës është shumë-shumë e vështirë, madje shumë dramatike. Unë e kam marr drejtimin e hekurudhës në një gjendje tejet të amortizuar. Shikoj një situatë financiare shumë të rëndë. Borxhet që hekurudha ka aktualisht i kalojnë 4-5 milionë dollarë. Më vjen keq, pasi situata sa vjen dhe rëndohet më tepër”- është shprehur drejtori i hekurudhave. Ndërkaq, Alizoti ka thënë se çdo reformë apo shkurtim i punonjësve do të bëhet në përputhje me ligjin, si dhe duke e respektuar kodin e punës. Sipas tij, do të largohen ata punonjës të cilët janë më të panevojshëm në hekurudhë. “Në do të përpiqemi të jemi të drejtë në veprimet tona sa i përket shkarkimeve që do të kryhen. Si drejtori e përgjithshme e hekurudhës jemi në fazën e hartimit të projekt buxhetit, kemi dërguar pranë Ministrisë së Transporteve një listë dhe kemi menduar që të bëjmë një ristrukturim komplet të hekurudhës. Me këtë strukturë që ka aktualisht hekurudha nuk i përgjigjet realitetit. Është një strukturë e fryrë dhe me bilancin ekonomik që ka hekurudha në këto momente. Kuptohet në hekurudha ka shumë njerëz që janë parazitë. Kështu që ne do të ndërhyjmë, por gjithmonë duke zbatuar me korrektësi të gjitha procedurat ligjore, duke bashkëpunuar edhe me sindikatën. Kjo reformë do të bëhet, por do të veprohet me shumë kujdes, duke prekur ato vende të cilat, sikurse përmenda, janë parazite, pra të panevojshme”, ka deklaruar Alizoti.





