18 shtator 2015 – Shifrat e transportit hekurudhor të mallrave për muajin gusht 2015, ndonëse modeste, dëshmojnë se linja ndërkombëtare nga kufiri me Malin e Zi po i jep “serum” sa për të mbajtur gjallë këtë lloj transporti. Thjesht distanca mesatare e lëvizjes së mallrave nga Bajza (Malësia e Madhe, Shkodër) prej 183 km dhe maksimale 214 deri në Elbasan, siguron të ardhura të mëdha dhe me kosto më të ulët. Portali “DurresLajm”, mbështetur në të dhëna zyrtare të HSH Sha, ka bërë një mikro-analizë të rezultateve njëmujore të gushtit 2015.
Në total hekurudha në muajin gusht 2015 ka përdorur 313 vagonë, që kanë transportuar 13 148 tonë mallra të ndryshme me 1 540 833 tonkilometra në një distancë mesatare prej 117 kilometra.
Bie në sy një shpërpjestim: rajoni hekurudhor i Durrësit ka përdorur 135 vagonë, të cilët kanë transportuar 6 977 tonë mallra ose 53 për qind të totalit gjithsej, por me 406 364 t/km, ose 26 për qind e krejt vëllimit, kjo për shkak të distancës mesatare të përshkuar prej 58 kilometrash.
Transporti ndërkombëtar nga veriu (Bajza) me 162 vagonë ka realizuar një vëllim prej 5 780 tonë (44 për qind të vëllimit gjithsej), por ka 1 059 450 t/km (rreth 69 për qind të krejt vëllimit) me një distancë mesatare 183 kilometra. Tërheq vëmendjen se Hekurudhën dhe Durrësin i kanë mbajtur Bajza dhe Elbasani, që kanë dhe vëllimin më të madh dhe distancën e konsiderueshme prej 214 km. Kështu janë përdorur gjithsej 103 vagonë që kanë transportuar në “kërthizën” e Shqipërisë 4 281 tonë mallra (rreth 33 për qind të krejt vëllimit si hekurudhë) dhe 904 653 t/km (58.7 për qind të krejt vëllimit në t/km): 64 vagonë me 2 590 tonë koks, 554 191 t/km; 38 vagonë me 1 637 tonë skrap, 350 408 t/km; 1 vagon me 54 tonë elektroda, 11 545 t/km.
Ja çfarë janë sjellë nga importi nëpërmjet Bajzës përveç Elbasanit: lëngje për Kashar 30 vagonë në distancë 130 km, me 699 tonë, 90 891 t/km; letër për Vorë 3 vagonë me 60 tonë, në distancë 121 km, 7 260 t/km; trupa për Vorë 6 vagonë me 227 tonë, 27 450 t/km; pllaka për Vorë 1 vagon, me 50 tonë, 6 090 t/km; pleh kimik për Bajzë 16 vagonë në distancë 8 km, 391 tonë, 3 126 t/km; bikerina për Durrës 2 vagonë, në distancë 139 km, me 40 tonë, 5 560 t/ km; traversa për Laç 1 vagon, në distancë 93 km me 31,5 tonë, 2 930 t/km.
Veriu, pa transportin ndërkombëtar ka përdorur 16 vagonë për 391 tonë me 75 018 t/km kryesisht pleh kimik për Lushnjë në një distancë prej 192 km.
/burimi: HSH sha. Përpunimi: th. m. portali DurresLajm/