Durrës, 1 shtator 2014 – Tre femra të reja kanë tentuar në tre mënyra të ndryshme për t’i dhënë fund jetës gjatë fundjavës që lamë pas.

Rasti më i rëndë ka qenë ai i regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së 31 gushtit, kur një 25 vjeçare nga Durrësi piu një sasi helmi, në tentativë për t’u vetëvrarë.

Mësohet se 25 vjeçarja, pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Durrësit është nisur me urgjencë drejt qendrës spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi gjendja e saj ishte dhe vazhdon të mbetet e rëndë.

Ndërkohë në dy rastet e tjera të dokumentuara nga policia e Durrësit, fatmirësisht bëhet fjalë për dy vetëhelmime të lehta, pa pasoja shëndetësore për një 21 vjeçare që ka konsumuar detergjent për larjen e xhamave dhe një 27 vjeçare të helmuar nga ilaçet.

Madje në rastin e 27 vjeçares nuk është përcaktuar ende nëse ajo ka dashur t’i japë fund jetës apo abuzimi me medikamentet kundër dhimbjes së kokës ka sjellë vetëhelmimin e të resë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/