Durrës, 15 qershor 2014 – Hetimet për vrasjen e biznesmenit Kujtim Dyrmishi, të vrarë një ditë më parë në plazhin e Durrësit vazhdojnë me intensitet nga ana e grupit hetimor, që po mundohet të zbardhë këtë atentat mafioz. Në vendngjarje u gjetën 24 gëzhoja fishekësh, ndërkohë që biznesmeni ishte qëlluar nga 5 plumba, që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Grupi hetimor përbëhet nga disa ekspertë të kriminalistikës, të cilët po analizojnë provat paraprake të grumbulluara në vendin e ngjarjes, por edhe provat e siguruara në rrugë të tjera nga inspektorët e hetimit të krimit. Megjithëse që në fillim u deklarua nga policia se hetimet paraprake kanë nxjerrë se vrasja mund të jetë kryer për hakmarrje nuk përjashtohen edhe pistat e tjera.

“Tixhja”, pseudonimi me të cilin njihej biznesmeni i vrarë, ka një të kaluar problematike dhe pikërisht në zbardhjen e konflikteve të mëhershme të tij janë përqendruar hetimet policore. Përveç të kaluarës së tij prej "të forti" në Elbasan, grupi hetimor është përqendruar edhe tek një konflikt i hershëm i vëllait të viktimës, i cili akuzohet për vrasjen e një personi. Sipas “Panorama”, vëllai i viktimës akuzohet për vrasjen e një shqiptari në Greqi në vitin 2004. Mësohet se Pëllumb Dyrmishi, rreth të 40-tave, në vitin 2004, qëlloi për vdekje me thikë një bashkëkombasin e tij në Athinë. Ai u arrestua rreth dy vite më parë në Itali, ndërsa më pas u ekstradua drejt Greqisë për të vuajtur dënimin për krimin e kryer.

Nga ana tjetër policia po heton për ndonjë konflikt të mundshëm që viktima ka patur me persona të tjerë në fushën e ndërtimit, bashkëpunëtor ose jo. Konfliktet personale po hetohen intesivisht, por sipas familjarëve, 49-vjeçari nuk ka patur kërcënime apo presion nga persona të tjerë.   

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se Dyrmishi, apo siç njihej me nofkën “Tixhja”, ka qenë një ndër të dyshuarit për vrasjen e ortakut të tij Xhemal Çela dhe kjo është një tjetër pistë ku po hetohet.  

Deri në mbrëmje, në policinë e Durrësit ishin shoqëruar 13 persona që kanë dhënë dëshminë e tyre mbi ngjarjen. Për hetuesit, ekzekutimi i biznesmenit mendohet të jetë kryer nga vrasës me pagesë, profesionistë, që e kanë menduar deri në detaje vrasjen e objektivit të tyre dhe më pas kanë “avulluar” nga vendngjarja.

Ngjarja

Kujtim Dyrmishi, lindur në Cërrik e banor i zonës së plazhit, kishte ndaluar makinën e tij "Benz" me targa italiane DP411VF në stacionin Iliria, në sensin e rrugës Plepa-Durrës, dhe ka qëndruar për të blerë një paketë cigare tek një prej dyqaneve anash rrugës kryesore. Sapo është futur në automjetin e tij, është qëlluar me breshëri nga dy persona të maskuar me kamuflazh me breshëri automatiku. Të paktën 25 gëzhoja ka sekuestruar policia në vendngjarje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/