Pak javë më parë, “DurrësLajm” publikoi rastin e Bukuroshe Dushkut, një nënë e divorcuar me dy fëmijë të mitur banore e lagjes nr. 16 të qytetit të Durrësit.

(Kliko këtu për lajmin)

Historia e trishtë e fëmijëve, që njëri pas tjetrit pësuan aksidente, që u lanë pasoja në shëndet, ka prekur një numër të jashtëzakonshëm qytetarësh.

Pas publikimit të apelit të Bukuroshes në portalin “DurrësLajm”, një numër i madh mesazhesh kanë ardhur edhe në mjetet e komunikimit elektronik me redaksinë, me qytetarët që ofroheshin për të ndihmuar nënën e 2 fëmijëve sipas mundësive të tyre.

Bukuroshe Dushku thotë se që një ditë pasi lajmi u bë publik, ajo ka filluar të marrë ndihmat e para.

Neli dhe Visi nga Shijaku më paguan qiranë e shtëpisë për 2 muaj, më paguan dritat dhe më dhanë edhe 15 000 lekë të reja në dorë. Një qendër fizioterapie mori përsipër trajtimin e djalit, që ka vështirësi në të ecur si pasojë e aksidentit, pa marrë asgjë në këmbim. Vëllezër e motra të Durrësit, por edhe shkolla e fëmijëve, më kanë ndihmuar me ushqime. Është edhe vëllai i xhamisë së madhe të Durrësit, që më ka dhënë ushqime dhe 5000 lekë të reja. 2 qytetarë të tjerë më morën bashkë me fëmijët për drekë në një nga restorantet afër shkollës. Madje më kanë ndihmuar dhe mua. Një dentiste më pagoi ilaçet, se unë vuaj nga anemia”, tregon ndër të tjera Bukuroshja.

Edhe ëndrra e Albertës me shpirt artisteje u bë realitet.

Dëshirat e mia janë dy. Të bëhem një pianiste e mirë, sepse është ëndrra ime më e madhe dhe të shërohem nga sytë”, tregonte e vogla me sytë që i shkëlqenin.

DurrësLajm” komunikoi me drejtorin e QKF Durrës, Avni Çunin, i cili sapo mësoi për rastin shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar vajzën për realizimin e ëndrrës së saj.

Drejtori mundësoi regjistrimin në kursin e pianos që Qendra Kulturore e Fëmijëve ofron, pavarësisht se periudha e regjistrimeve kishte përfunduar dhe kursi kishte nisur.

Z.Çuni tha se Albertës do t’i mundësohen kurse shtesë, në mënyrë që ajo të arrijë nivelin e pjesës tjetër të grupit.

Bukuroshe Dushku është mirënjohëse ndaj çdokujt që ka kontribuar dhe e ka ndihmuar.

“I falënderojmë me shpirt e zemër dhe Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që na ndihmuan dhe vazhdojnë të na ndihmojnë”, thotë e lumtur ajo.

K.Gj/DurrësLajm/