Zbulohet identiteti i katër të arrestuarve nga policia e Durrësit, në sajë të operacionit antidrogë “Taksisti”.
Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit Armando Gjoka, që drejtonte mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin Agron Baci (pasagjer), të cilët kishin ardhur në zonën e Plazhit në Durrës për të blerë lëndë narkotike te shtetasit Erges Shehi dhe Vilson Mimini.
Burimet zyrtare njoftuan më herët se, në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së policisë, shtetasit Erges Shehi dhe Vilson Mimini, të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit dhe sapo kanë vënë re prezencën e efektivëve kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar gjatë ndjekjes.
Gjate tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë.
Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë Armando Gjoka, dhe Agron Baci, të cilët do blinin lëndën narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.





