DURRËS, 29 nëntor 2014 –  Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një ceremoni me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit. Qindra veteranë pasardhës të tyre, familje të dëshmorëve, shumë qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe në Mauzoleun e Dëshmorëve. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit dhe veteranët kanë sjellë në vëmendje kujtimet e tyre për këta njerëz që dhanë jetën e tyre për liri. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.

Ishin të pranishëm dhe vendosën kurora me lule kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako; deputetët e PS-së Klodanë Spahiu dhe Esmeraldë Shkjau; Prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj; kryetari i Këshillit të Qarkut dhe kryetar i degës së PS Alfred Mullaraj etj.

Kryetari i bashkisë Vangjush Dako tha se në 29 nëntor gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/