Është një nga godinat më ikonike të Durrësit, simbol i Shqipërisë turistike gjatë viteve të regjimit komunist, por edhe në ditët tona kur qyteti buzë Adriatikut është kthyer në kryeqytetin shqiptar të turizmit.


Hotel “Adriatik”, i pozicionuar në sektorin “Hekurudha” të plazhit të Durrësit, u ndërtua në vitin 1957 dhe priti gjatë regjimit komunist shumë udhëheqës të vendeve të lindjes dhe diplomatët e paktë që vizitonin vendin tonë.


Ndërsa në vitet 2000 iu nënshtrua një rinovimi të plotë për të mikpritur turistët elitarë dhe emrat e njohur të diasporës shqiptare.
Por së shpejti, godina ikonike që shfaqej në shumë nga kartolinat e kohës nuk do të ekzistojë më, të paktën jo në formën aktuale.

Godina do të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimit të hotelit të ri, për të cilin Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka dhënë lejen më 19 shkurt të këtij viti, siç pat njoftuar më herët “DurrësLajm”. Sheshi i ndërtimit ka një sipërfaqe trualli 14.982 m².
Siç duket edhe në fotot e projektit, vendin e godinës 4 katëshe, do ta zërë një hotel 12 katësh, i cili në katet e poshtme do të ruajë arkitekturën aktuale, ndërsa katet e sipërme do të jenë një godinë me arkitekturë moderne.
Por kjo nuk do të jetë godina e vetme.
“Synimi i zhvilluesit DUDA shpk është ndërtimi i një kompleksi të ri turistik me dy ndërtesa kryesore”,– shkruhet në dokumentin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Sipas KKTU-së, ndërtesa e re e hotelit me 5 yje “Adriatik”, do të jetë e konceptuar për të ndërthurur elementet historike të ndërtesës ekzistuese në katet e poshtme me një superstrukturë bashkëkohore në katet e sipërme, ndërsa ndërtesa e pozicionuar në brendësi të sheshit, në anën jug-lindore të kompleksit do të jetë ndërtesa e Rezidencave të Branduara.
“Të dy ndërtesat do të lidhen në mënyrë organike nga kati përdhe ku do të jenë shërbimet e gastronomisë, hapësirat e biznesit dhe kazinoja me hyrje të dedikuar. Nëntokë do të zhvillohen kryesisht hapësirat teknike, parkimi dhe SPA”,- shkruhet në dokument.
Dokumenti i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit thotë se “Adriatik Hotel & Residences” nuk do të jetë një ndërhyrje që zhduk historinë, por një ringjallje e saj.
M.B.





