Operacion i gjerë kërkim-shpëtimi i Policisë Kufitare&Migracionit dhe Forcës Detare në Gjrin e Lalzit

DURRËS, 5 janar 2015 –  Dy banorë nga fshati Rinia u nisën të nxjerrin rrjetat e peshkimit, por rezultojnë të humbur në detin me 5 ballë.

Policie e Shtetit njofton se, të dielën, më 4 janar 2015, rreth orës 16.00,  nga fshatin Rinia kanë dalë për gjueti në det dhe kanë humbur kontaktet me familjarët tyre Avni Shahini i datëlindjes 25 maj 1972 e Betim Maqinaj i datëlindjes 4 qershor 1985, banues në fshatin Rinia të komunës së Katundit të Ri të rrethit të Durrësit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të dy peshkatarët ka shkuar për të nxjerrë rrjetat dhe nuk janë kthyer. Familjarët dhanë alarmin për humbjen e tyre, kjo dhe për shkak të ndërprerjes së kontakteve telefonike. Fillimisht në kërkim janë nisur forca të komisariatit të Shijakut, pastaj mjete lundrimi dhe dy palombarë të policisë kufitare dhe emigracionit, që kanë punuar gjatë gjithë natës.

Në orën 13:25 të së hënës, më 5 janar 2015, Ministria e mbrojtjes njoftoi se dy anije të Forcës Detare vijojnë operacionin për kërkim-shpëtimin e dy peshkatarëve nga fshati Rinia të komunës Katund i Ri, të cilët rezultojnë të humbur në hapësirën detare të Gjirit të Lalzit. Pas informacionit të marrë nga Qendra e Bashkuar Operacionale e Forcave të Armatosura (QBO) për humbjen e dy peshkatarëve, komanda e Forcës Detare në Plepa, vlerësoi situatën dhe urdhëroi anijen MV-118 për të nisur operacion e kërkim-shpëtimit në rajonin e Gjirit të Lalzit, ku dyshohet për humbjen e dy peshkatarëve. Më pas, në ndihmë të këtij operacioni është dërguar edhe anija e Rojës Bregdetare “Iliria”, P-131, e cila po vazhdon operacionin e kërkim-shpëtimit (SAR) në të gjithë zonën detare të Gjirit të Lalzit. 

Të dy anijet e Forcës Detare, në bashkëpunim me anije të Policisë Kufitare vazhdojnë operacionin SAR bazuar në koordinatat e marra për humbjen e dy peshkatarëve. Deri tani, ndonëse kërkimet janë intensifikuar, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së, po ndjekin me vëmendje maksimale këtë operacion të kërkim-shpëtimit të dy peshkatarëve të humbur, i cili po vijon pa ndërprerje.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/