Durrës, 27 shkurt 2014 – Një aksident fatal ndryshon krejtësisht rrjedhën e jetës së një familjeje durrsake. Pasditen e 18 tetorit, nënë e bijë përplasen nga një automjet në mes të qytetit të Durrësit; ndërsa vajza 16-vjeçare ndërron jetë 10 ditë pas ngjarjes, nëna e saj sot është ende mes dy botëve, e paralizuar. Kryefamiljari, babai dhe burri i dy të aksidentuarave kërkon dëmshpërblim. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", 49-vjeçari Nuri Mustafa, me sytë që nuk i thahen për asnjë moment bën apel për ndihmë, pasi në të kundërt zgjidhja e vetme mbetet vetëgjyqësia. Ai kërkon që institucionet e drejtësisë të thonë fjalën e tyre për këtë aksident fatal dhe ai të dëmshpërblehet sipas ligjit, në mënyrë që të shpëtojë bashkëshorten e tij. 49-vjeçari tregon se nuk ka asnjë të ardhur për të përballuar kurimin e gruas së tij, e cila ndodhet në një spital në Itali.
Z. Nuri, cili është shqetësimi juaj?
Kanë kaluar katër muaj nga ngjarja që më shkatërroi familjen. Tani gjendem në situatë tepër dramatike. Gruaja po kurohet në Itali dhe mjekët më kërkojnë para për ta operuar, ndërsa unë jam zhytur në borxhe. Nuk mund të kuroj as gruan, ndërsa vajza e vogël më vdiq nëntë ditë pas aksidentit të tmerrshëm.
Çfarë ndodhi atë ditë?
Atë ditë pasdite, gruaja ime Bajamja, 37 vjeçe, me vajzën Xhovanën, 16 vjeçe, po shkonin për vizitë tek të afërmit, ndërsa në mes të bulevardit i aksidentoi Arlind Cara. I la dhe iku. Njerëzit në rrugë i dërguan në spital. Vajzën e çova në një spital privat se atje kishte shpresa, por mjekët më mashtruan. Pas nëntë ditësh në atë spital, vajza vdiq. Pagova 17 mijë euro, që i mora borxh, dhe të dhjetën ditë bëra varrimin. Gruaja qëndronte në spital në Durrës në gjendje të rëndë.
Po më pas, si u bë gruaja juaj?
Gruaja qëndroi deri në janar në spital të Durrësit, me fraktura në kokë, shpatull, në shtyllën kurrizore etj. E dërgova në Itali në 21 janar, ku mjekët më thanë se do t'i nënshtrohet operacionit për këmbët, sepse rrezikon të mbetet e paralizuar. Gruaja kreu ekspertizën mjeko-ligjore në Tiranë tek Instituti, me kërkesë të policisë dhe prokurorisë.
Çfarë kërkoni ju?
Unë dua që të dëmshpërblehem për vrasjen e sime bije nga personi që shkaktoi aksidentin. Ai kishte qenë me 140 km në orë në mes të bulevardit. Me ato lekë dua të shpëtoj gruan që po më vdes. Kam qenë në prokurori kaq herë, por më zvarrisin, se akoma nuk kanë mbërritur raportet mjeko-ligjore nga policia. Besoj që këtu po bëhet korrupsion i madh dhe kjo me jetën e njerëzve. Makinën, autori e ka pasur të siguruar. Kompania e sigurimit a kush është përgjegjës të dëmshpërblejnë për aksidentin e rëndë.
Pse thoni që po bëhet korrupsion?
Mjekësia ligjore në Durrës e ka bërë aksidentin e gruas shumë të lehtë. Prokuroria ende nuk e ka nxjerrë në gjyq. Ekspertiza nga mjekësia ligjore në Tiranë nuk ka mbërritur ende në prokurori. Të gjitha këto zvarritje që po i bëhen çështjes, më bëjnë të dyshoj se këtu ka korrupsion.
A ju ka ndihmuar kush për kurimin e gruas?
Familja e autorit nuk ka bërë asgjë edhe pse është fajtor. Kam kërkuar ndihmë tek drejtuesit lokalë dhe nuk më kanë dhënë asnjë zgjidhje. Na ka ngelur vetëm të marrim hak. Jam shumë i shqetësuar, se dy djemtë e mi kërkojnë të marrin hak ndaj familjes së shoferit. Duke ditur që të dy janë të papunë, me nënën të sëmurë, unë hamall, kam frikë se si mund të shkojnë gjërat. Mirë problemet ekonomike që kishim, se jemi pa shtëpi, por tani po më shkatërrohet edhe familja.
/Gazeta Shqiptare/





